EKSKLUZIVE/ Kryetari i PDK, Nard Ndoka, e vlerëson si jo produktive dhe shumë të vjetëruar idenë e kryerepublikanit, Fatmir Mediu, për krijimin e një konfederate midis forcave politike të djathta. Sipas tij, koalicionet mes forcave politike nuk janë thjeshtë thirrje individësh për bashkim.
“Ideja e për një konferderatë nuk është e re. Është bërë shumë vite më parë. Madje ka pasur propozime deri dhe në shkrirje të të gjitha forcave politike për t’iu bahkangjitur PD-së. Por këto nuk kanë funksionuar. Po bëhet gati 2 vite e gjysëm në opozitë dhe PD ende nuk ka prezantuar një strategji mes forcave politike të djathta për bashkëpunim elektoral. E vetmja strategji e saj ka qenë si të “divorcoj” dyshen Rama- Meta.
Pa një strategji serioze, të hapur dhe pa imponime, nga forca më e madhe politike e opozitës, nuk gjykoj se ja vlen të diskutosh për ide të tjera, të cilat thjeshtë janë për shoë mediatik”, shprehet Ndoka.
Sipas tij, problemet me opozitën nuk kanë të bëjnë me përkufizim emrash që mund të jenë “koalicion”, “konfederatë” apo “bllok”. Ndoka nënvizon se mungesa e një strategjie për bashkëpunim politik dhe parlamentarë mes forcave të opozitës, ka bërë që deputetë brenda opozitës, si dhe forca politike pranë saj, të distancohen e të shkojnë drejt ruajtjes së profilit dhe interesave të tyre politik.
Sipas tij, si PDK ashtu edhe PDIU e nisën rrugëtimin bashkë me PD në zgjedhje dhe Parlament, por natyrisht nuk mund të pranonim që individ të veçantë në PD të flisnin në emërin tonë, a thua se ne nuk përfaqësonim subjekte politike të pavarura.
“U krijua ideja se në opozitë të gjitha partitë ishin shkrirë me PD. Bashkëpunimi elektoral është njëra anë e medaljes, ndërsa bashkëpunimi parlamentar është diçka tjetër. Asnjë tryezë deri më tani nuk është bërë mbi faktorët politik dhe parlamentarë të opozitës dhe forcave të djathta. Ndaj gjykoj se të tilla ide, aq më shumë të parakorduara me PD, nuk zgjojnë interes”, thekson Ndoka.
Sipas tij, pas zgjedhjeve lokale PD duhej të kishte reflektuar, pasi koalicioni që ajo arriti të krijojë ishte shumë i dobët, duke prodhuar një rezultat skadaloz elektoral. Vetë taktika që përdori, thekson Ndoka, më shumë i largoi forcat politike të djathta, siç ishte dhe rasti i FRD-së së bamir Topit, sesa i afroi.
Vetëm pak ditë më parë kreu i PR-së, Fatmir Mediu, kërkoi themelimin e një konferderate e cila do të mbledhë rreth vetës të gjitha forcat politike të së djathtës, ku të bëjnë pjesë partitë e djathta, të përmdjekurit politike, pronarët, biznesi dhe të rinjtë.
(JAVANEWS.AL) Me. Ar