Këshilli i Ministrave ka vendosur që shuma prej 113 milionë lekësh të alokohet nga buxheti i vitit 2022 për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme. Ndërsa mësohet se shumën më të madhe e ka marrë edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me plotë 33.6 milionë lekë, e më pas renditet Kisha Autoqefale.
VENDIMI I PLOTË:
V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT, NË BUXHETIN E VITIT 2022, PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2022, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:
a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 600 000 (tridhjetë e tre milionë e gjashtëqind mijë) lekë, të ndarë në:
i. 13 824 000 (trembëdhjetë milionë e tetëqind e njëzet e katër mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore, për 72 (shtatëdhjetë e dy) punonjës të administratës;
ii. 19 776 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 103 (njëqind e tre) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 496 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të ndarë:
i. 20 160 000 (njëzet milionë e njëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore, për 105 (njëqind e pesë) punonjës të administratës;
ii. 6 336 000 (gjashtë milionë e treqind e tridhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 33 (tridhjetë e tre) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 496 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të ndarë:
i. 6 528 000 (gjashtë milionë e pesëqind e njëzet e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore, për 34 (tridhjetë e katër) punonjës të administratës;
ii. 19 968 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 104 (njëqind e katër) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 408 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e tetë mijë) lekë, të ndarë:
i. 4 992 000 (katër milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore, për 26 (njëzet e gjashtë) punonjës të administratës;
ii. 14 416 000 (katërmbëdhjetë milionë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Elbasanit;
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2022, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.
2. Kalimi i fondit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të bëhet njëherësh, brenda muajit maj të vitit 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA