Në Librin e tij “Nga gjakosja e Shkodrës (pranverë 1991) tek pergjakja e Shqipërisë (pranverë 1997)”, që po botohet nga TemA, ish-ministri i Mbrojtjes, Shaqir Vukaj flet edhe për tragjedinë e Otrontos dhe tensionet e mazhorancës së PD-së me ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali që u arratis nga Shqipëria…
Nga Shaqir Vukaj
E premte, 28 mars
Më datë 28 mars, radio “Zëri i Amerikës” transmetoi të plotë intervistën që i kisha dhënë atë ditë, si më poshtë:
Pyetje: Zoti Vukaj cilat janë hapat e parë që ka hedhur Ushtria Shqiptare me marrjen e qeverisjes së vendit prej Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe cila është gjendja aktuale e Ushtrisë Shqiptare në këto pak ditë e javë të Qeverisë së zotit Fino?
Përgjigje: Ashtu siç është thënë shumë herë, një nga sektorët që u godit më rëndë ishte ushtria. Pa dashur të hyj në hollësi, se përse ndodhi, si ndodhi cilat ishin shkaqet, cilët ishin organizatorët etj. gjë që me siguri do të bëhet në të ardhmen, që ditën e parë të punës, Qeveria e Pajtimit Kombëtar i kushtoi rëndësi të posaçme problemit të ushtrisë.
Kur ne filluam punën, gjithçka kishte marrë fund. Shumica e depove, magazinave të reparteve ushtarake pothuajse ishin boshatisur. Shumë oficerë e ushtarë ishin larguar. Në këto kushte u mblodhëm dhe filluam punën, së pari për të marrë veten, pra për të mbledhur njerëzit, oficerët në radhë të parë për t’i sjellë në vete sepse shumë prej tyre ishin të çorientuar, të tjerë të frikësuar ose që kishin humbur besimin tek shteti. Detyrë e parë e jona ishte për të përcaktuar pikat më kritike dhe masat që duheshin marrë. Ç’është e vërteta, ditët e para kanë qenë të ngarkuara me një tension e intensitet të jashtëzakonshëm.
Dua të vë në dukje, se që ditët e para mijëra e mijëra patriotë ushtarakë e civilë iu përgjigjën thirrjes tonë për tu paraqitur pranë reparteve e objekteve ushtarake apo ku e lypte nevoja. U organizuan roje dhe shërbime për të shpëtuar vlera të jashtëzakonshme që kishin mbetur pa u prekur ose ishin dëmtuar pak. Kështu sot unë mund të deklaroj se tanket, aviacioni ushtarak, artileria e rendë etj. janë pothuajse krejtësisht në dorën e ushtrisë.
Krahas falënderimeve dhe mirënjohjes për ata patriotë të vërtetë që qëndrojnë ditë e natë në mbrojtje të objekteve ushtarake nëpërmjet radios tuaj dua tu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të kenë kujdes, mos tu afrohen depove, magazinave e tuneleve të Ushtrisë, sepse pasojat mund të jenë të pallogaritshme, lëndët plasëse që ndodhen në to mund të hedhin në erë fshatra dhe qytete të tëra.
Pyetje: Zoti Vukaj gjatë gjithë këtyre ditëve ju keni pasur shumë takime me diplomatë të huaj dhe atashe ushtarakë të lartë të mjaft vendeve të Perëndimit. Sa e besoni angazhimin e tyre për të ndihmuar Shqipërinë dhe Ushtrinë Shqiptare në këtë periudhë të vështirë?
Përgjigje: Interesimi i opinionit publik ndërkombëtar është i jashtëzakonshëm dhe kjo kuptohet, ka shpjegimet e veta. Në këtë kuadër, përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Shqipëri janë në lëvizje, në kërkim të së vërtetës për të njohur dhe parë me sytë e tyre ato që ndodhën, sepse siç e dini, mediet ndërkombëtare shpesh herë i deformojnë gjërat, i zmadhojnë në interes të njërës apo tjetrës palë.
Por edhe ne si Ministri jemi përpjekur të marrim sa më shumë kontakte me ta dhe me përfaqësues të huaj që vinë në Shqipëri nga Europa e Amerika për t’ju shpjeguar të vërtetën dhe për të biseduar konkretisht për ndihmat që ne kërkojmë dhe që sigurisht presim të na vinë. Është pozitive që shumë shtete, pavarësisht nga ndihma që ne i kemi kërkuar Bashkimit Europian dhe që ne shpresojmë të na vijnë ashtu si i kemi kërkuar, mjaft prej tyre janë shprehur se do na ndihmojnë edhe në rrugë bilaterale. Kështu gjej rastin të falënderoj grekët, italianët, turqit, francezët dhe shumë të tjerë që tashmë kanë filluar t’i konkretizojnë premtimet për ndihma Shqipërisë.
Zoti Vukaj: Meqë përmendët ndihmat e BE, që do të fillojnë të mbërrijnë së shpejti në Shqipëri, përveç trupave të Policisë Shqiptare cili do të jetë angazhimi konkret i Ushtrisë Shqiptare për t’i pritur, për t’i shoqëruar apo edhe për t’i shpërndarë ndoshta në tërë Shqipërinë këto ditë.
Përgjigje: Siç jeni në dijeni, ne kemi kërkuar dërgimin e një force ndërkombëtare ushtarake, por duhet të jetë e qartë se kjo forcë ushtarake duhet të jetë në formën e një policie ushtarake, që së bashku me forcat tona të specializuara të marrin përsipër organizimin e punës për shpërndarjen e ndihmave që do t’i vinë Shqipërisë, pra ruajtjen e aeroporteve e porteve për sigurimin e rrugëve të komunikacionit dhe deri magazinimin dhe shpërndarjen e këtyre ndihmave.
Zoti Vukaj: Ju lutem edhe një pyetje të fundit. Sipas projekteve që ju keni hartuar për riorganizimin dhe mbarëvajtjen e punëve këtej e tutje në Ushtrinë Shqiptare, a mund të përcaktoni ndonjë afat kohor se kur më në fund problemet e Ushtrisë Shqiptare do të vihen ne rrugë të mbarë?
Përgjigje: Siç thashë më lart, ne po punojmë intensivisht për organizimin dhe funksionimin normal të Ushtrisë Shqiptare, por këtu duhet të bëjmë një dallim, jo për riorganizimin apo ndonjë reformë tjetër në Ushtri. Ngjarjet e kohëve të fundit krahas ngarkesave të tjera tepër të mëdha politike etj. treguan dhe të metat e dobësitë e ushtrisë tonë, prandaj ne po punojmë për ngritjen e një Ushtrie të vërtetë Kombëtare Shqiptare pavarësisht nga politikat partiake. Kjo ushtri mendoj se do të ngrihet mbi bazën e traditave luftarake të popullit tonë, mbi bazën e terrenit dhe pozicionit strategjik të Shqipërisë, mbi bazën e përvojës ushtarake të organizmave ndërkombëtare dhe në radhë të parë të NATO-së si dhe mbi bazën e përvojës të ushtrive të vendeve të tjera dhe në radhë të parë të vendeve të ngjashme me Shqipërinë.
Në këtë kuadër ne do të kemi parasysh që ushtaraku i çfarëdo niveli qoftë, të jetë figurë e nderuar e kombit dhe të trajtohet në të gjitha planet i tillë, ekonomike, morale, sociale, shoqërore etj ashtu siç i takon, ashtu siç duhet të jetë në të vërtetë. Siç e dini ne jemi qeveri provizore, Qeveri e Pajtimit Kombëtar me një jetëgjatësi dy-tre mujore dhe kuptohet ne nuk do arrijmë t’i realizojmë të gjitha, por ne si Qeveri e Pajtimit Kombëtar do të hedhim hapat e parë, do të përpunojmë programet në mënyrë që pasardhësit ta vazhdojnë deri në fund këtë detyrë kaq të rëndësishme kombëtare për ne”.
Sot u mblodhën në Vlorë përfaqësues nga shumë rrethe të vendit, organizuar në formën e Komiteteve të Shpëtimit. Krahas rretheve të Jugut merrnin pjesë edhe përfaqësues nga rrethet e Veriut, nga Malësia e Madhe, Dibra, Mirdita, Puka, Mati etj. Ata dolën me një deklaratë të përbashkët ku tërheq vëmendjen një fakt tepër i rëndësishëm. Deklarata ishte mbështetur dhe firmosur nga Partia Republikane, Partia e Djathtë Demokrate, Partia Demokristiane, Partia Aleanca Demokratike, Partia Socialiste, Partia Social Demokrate si dhe nga Forumi për Demokraci dhe Konfederata.
Pavarësisht nga tonet disi ultimative në Deklaratën e aprovuar nga të gjithë pjesëmarrësit, kishte mjaft gjëra pozitive, si ato për mbështetjen e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe kryesorja për funksionimin e pushtetit lokal, distancimin nga bandat e armatosura politike, ristrukturimin e SHIK-ut, largimin e disa funksionarëve të policisë dhe SHIK-ut që ishin komprometuar keqas në sytë e popullit etj.
Në këto situata tepër të turbullta, të paqarta dhe ku po luhet shumë me pushtetet, duhen edhe institucione të tilla të dala nga populli, sigurisht pa kaluar kufijtë.
Mbrëmë Këshilli i Sigurimit aprovoi një Rezolutë me anën e së cilës autorizohet dërgimi i një Force Shumëkombëshe në Shqipëri, të udhëhequr nga italianët për të ruajtur shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe nevojave të tjera dhe për të ndihmuar në normalizimin e vendit nga dhuna dhe anarkia. Rezoluta u aprovua nga të gjithë anëtarët me përjashtim të Kinës e cila abstenoi.
Drejtuesit e Partisë Demokratike kërkuan që Safet Zhulali të ndiqet penalisht. Në komunikatën e botuar me këtë rast thuhet: “Partia Demokratike dënon papërgjegjshmërinë dhe largimin e turpshëm të Zhulalit në një moment kritik për Shqipërinë”.
Vonë në darkë më njoftojnë nga Shkodra se janë vrarë pesë banorë të lagjes “Liria”, vrasje e kryer për hakmarrje, sepse para pak ditësh një banor i kësaj lagje kishte vrarë rojën e një fabrike.
Tragjedia e Otrantos.
E shtunë, 29 mars
Që në mëngjes mora vesh se një natë më parë ishte mbytur në detin Adriatik një anije shqiptare që udhëtonte drejt Italisë. Fatkeqësisht këto lajme po bëheshin të zakonshme, sepse çdo ditë ka ngjarje, ndërmjet tjerave edhe për ikje anijesh me refugjatë. Kështu, pak ditë më parë ishte kthyer në afërsi në plazhit të Patokut anija e peshkimit “Rozafa” me rreth 400 vetë, të cilën e kishte shpëtuar Marina Ushtarake Italiane (ishin aktivizuar 3 fregata, 2 dragamina, mjete amfibë si dhe dy helikopterë për shpëtimin e saj). Ne e falënderuam zyrtarisht Italinë për ndihmën e madhe që kishte dhënë për të shpëtuar jetën e 400 njerëz,ve.
Mirëpo lajmi i sotëm për mbytjen e kësaj anije për të cilën fillimisht nuk u dha asnjë hollësi u përhap shumë shpejt. Agjencitë kryesore europiane filluan të jepnin njoftime kontradiktore.
Agjencia “Rojter”, duke iu referuar deklaratës së Ministrisë Italiane të Mbrojtjes shkruante “Të paktën katër vetë u mbytën të premten kur një anije shqiptare e mbushur me refugjatë u përmbys dhe u mbyt në detin Adriatik, pas përplasjes me një luftanije italiane. Një deklaratë e Ministrisë Italiane thotë se anija e vogël e patrullës bregdetare shqiptare me 30 civilë në bord dhe me një numër të panjohur njerëzish brenda u përplas me anijen italiane të patrullimit “Sibila”, e cila u përpoq ta ndalonte atë që të hynte ne ujërat italiane”.
Në deklaratën e Ministrisë Italiane të Mbrojtjes thuhet: “34 vetë u shpëtuan, dy prej të cilëve ishin plagosur. Katër kufoma u nxorën”. Ministria thotë: “Anija shqiptare kundërshtoi urdhrin e anijes ushtarake italiane që po zbatonte marrëveshjen shqiptaro-italiane për të sprapsur anijet shqiptare që të mos hyjnë në Itali”.
Agjencia “ANSA” jepte lajmin si më poshtë “Në tragjedi e mundshme, e paralajmëruar që para disa javësh ndodhi mbrëmë në Kanalin e Otrantos. Një anije shqiptare “karroca” e fundit e detit e mbushur me refugjatë sfidoi detin e pafund dhe u nis drejt Pulias, duke rifilluar kështu udhëtimet e shpresës, të cilat ishin ndërprerë për katër ditë. Në gjysmën e rrugës, anija shqiptare, një motovedetë bregdetare prej rreth 60 tonelatash me afro tridhjetë njerëz në bord u ndesh me anijen luftarake “Sibila”. Sipas një deklarate të Ministrisë Italiane të Mbrojtjes, anija shqiptare u pa nga anija italiane e patrullës “Xefiro”, ndërkohë që e para po dilte nga gjiri i Vlorës. Anija shqiptare injoroi përpjekjet e “Xefiros” për ta kthyer”.
Agjencia “AFP”: “Anija shqiptare që u mbyt ditën e premte në ujërat e brigjeve italiane pasi u përplas me një anije ushtarake italiane ishte grabitur në portin shqiptar të Sarandës nga një bandë kriminelësh. Motobarka ushtarake quhet “Kateri i Radës”. Më poshtë AFP-ja, duke iu referuar një burimi ushtarak italian shkruante se “Njerëzit që e kishin grabitur anijen kishin të bënin me krimin e organizuar, i cili kontrollon trafikun e emigrantëve klandestinë në Vlorë”. Lajmi përfundonte me një njoftim të Kryqit të Kuq Italian se “Kanë humbur 20 vetë”.
Sipas një njoftimi nga Vlora, në anije mund të kishin qenë nga 40 deri në 100 veta. Ndërmjet tjerave mësova se anija e mbytur ishte “Kateri i Radës”. Thirra Drejtorin e Flotës, Vladimir Beja dhe e pyeta nëse dinte gjë për këtë anije. Ai më shpjegoi se e njihte shume mirë, sepse ajo për shumë vite ishte përdorur si anije transporti midis Vlorës dhe ishullit të Sazanit. E pyeta për kapacitetin dhe konkretisht sa njerëz merrte ajo. Rreth 20 vetë më tha, por po të rrinë ngushtë mund të rrinë deri në 40 vetë ose pak më shumë.
Gjatë ditës lajmet që vinin ishin të trishtueshme. Flitej për dhjetëra e dhjetëra të mbytur. Ndërkohë në Itali kishin filluar diskutimet e deklaratat. Shqiptarët që kishin shpëtuar, i kishin izoluar në një ish kazermë në Brindisi dhe nuk i lejonin të kontaktonin me askënd, sepse sipas Prokurorit të Republikës pranë Gjykatës së Brindisit: “Problemi paraqitet shumë kompleks përballë dy varianteve, deklaratës së ndonjë prej të shpëtuarve dhe asaj të Marinës Ushtarake”.
Ndërkohë filluan të vijnë njoftime për reagimet në Itali. Qëndrimet ishin të ndryshme. Kishte prej atyre që fajësonin Qeverinë dhe Marinën Italiane, siç kishte dhe prej atyre fajësonin Qeverinë Shqiptare. Megjithatë nga deklaratat e para shihej se Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes Italiane përpiqeshin ta paraqisnin veten të pafajshëm.
Duke lexuar materialet e tyre e shihja që mbytja e anijes po përdorej politikisht në kuadrin e luftës së brendshme, ku përfaqësues të opozitës sulmonin qeverinë. Kështu kryetari i opozitës, Berluskoni mbasi ishte takuar me disa nga ata që kishin shpëtuar, kërkoi mocion mosbesimi për qeverinë.
Kishte prej atyre që kërkonin qëndrime shumë të ashpra kundër refugjatëve shqiptarë. Kështu Irene Piveti, politikane e lartë e Legës së Veriut, ish Presidente e Parlamentit Italian u shpreh për një kurs pa kompromis kundër refugjatëve shqiptarë, “Shqiptarët të hidhen në det” u shpreh ajo. Një pjesë e shtypit italian nxiste qëndrime të ashpra kundër shqiptarëve, madje jepeshin edhe lajme, se sipas sondazheve “Shumica e italianëve janë kundër pranimit të refugjatëve shqiptarë dhe i quajnë ata “aventurierë dhe kriminelë”.
Shumë shpejt reaguan edhe përfaqësues të Komunitetit Ndërkombëtar. Brukseli reagoi menjëherë. Kështu Komisionerja Europiane për ndihma humanitare, Ema Bonini deklaroi: “Një dramë e papranueshme që mund të ishte shmangur, nëse BE-ja dhe Komuniteti Ndërkombëtar nuk do të kishin humbur kaq shumë kohë për të ndërmarrë një ndërhyrje humanitare në Shqipëri”. Sipas saj, dikush duhej të merrte përgjegjësinë për ata dhjetëra të vdekur (deri në këtë moment nuk dihej zyrtarisht numri i të mbyturve) pa harruar përgjegjësinë e organizmave ndërkombëtare. “Që prej disa javësh ka qenë e nevojshme një ndërhyrje në Shqipëri e kjo mund të ishte vendosur të hënën e kaluar në Këshillin e Ministrave të BE-së. Por mjaftoi që anglezët dhe gjermanët të thoshin “jo” për t’ia kaluar gjithçka OSBE-së. Shkuam në OSBE dhe rusët nuk donin, atëherë shkuam në OKB e cila hapi rrugën”. (Siç do të shkruaj më poshtë me hollësi, ardhja e Forcës Ndërkombëtare në Shqipëri me të cilën u morën Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes ka qenë një proces i gjatë dhe mjaft i vështirë.)
Por ajo, si një personalitet politik, duke e kuptuar situatën u shpreh shumë qartë edhe kundër të vetëve (ajo ishte italiane) ku ndërmjet tjerave tha: “Psikoza që dominon në vendin tim ushqehet nga mungesa e drejtimit të intelektualëve të majtë e të djathtë, duke ndihmuar në krijimin e psikozave për të mos thënë ksenofobisë. Ka nga ata që duan t’i hedhin në det shqiptarët”- tha ajo.
Nga Ambasada jonë në Romë u njoftuam se sipas dëshmive të disave prej atyre që kishin shpëtuar, përveç 34 vetëve të shpëtuar e katër të mbyturve, në anije duhet të kenë qenë edhe 79 persona të tjerë, çka e bën ngjarjen me të vërtetë tragjike, tragjedinë detare më të madhe që kishin parë shqiptarët.
Qeveria e Pajtimit Kombëtar, nëpërmjet një deklarate, krahas njoftimit për mbytjen e anijes, ngushëllimeve për familjarët e të mbyturve etj. shprehu shqetësimin për veprime të kësaj natyre nga pala italiane para nënshkrimit të protokollit përkatës midis dy ministrive respektive të dy vendeve. (Siç do të shkruaj më poshtë ato ditë përgatitesha për të vizituar Italinë në krye të një delegacioni të Ministrisë së Mbrojtjes, ku do të nënshkruhej edhe Protokolli që përmendej në deklaratën e Qeverisë tonë). Më poshtë në deklaratë shprehej shqetësimi për deklaratat e papërgjegjshme të disa politikanëve italianë.
Ministria e Jashtme thirri Ambasadorin e Italisë, Paolo Foresti ku iu komunikua shqetësimi i Qeverisë Shqiptare për tragjedinë e Otrantos.
Në një deklaratë për shtypin, Kryeministri Bashkim Fino ndërmjet tjerave deklaroi se kjo ngjarje nuk do të vërë në diskutim marrëdhëniet e mira dhe të ngushta shqiptaro-italiane.
Qeveria jonë bëri edhe një deklaratë tjetër, ku ndërmjet tjerave thuhej se ngjarja tronditëse nuk është pasojë e politikës italiane, por ngjarja mund të evitohej. Qeveria Shqiptare i kërkon Qeverisë Italiane që të bëhen të gjitha përpjekjet për nxjerrjen e trupave etj. Po ashtu kërkohej që të shikohej me seriozitet çështja e refugjatëve shqiptarë në Itali, lidhur me trajtimin dhe pozicionin e tyre juridik.
Në prag të vizitës time në Itali, ministri i Mbrojtjes i Italisë, Andreata më dërgoi këtë telegram ngushëllimi:
“Mësova me tronditje të thellë lajmin e aksidentit tragjik detar në të cilin humbën jetën bashkëqytetarët tuaj. Ju lutem pranoni në këtë moment të vështirë që ka trishtuar ndjenjat e popullit shqiptar, ngushëllimet e thella të Forcave të Armatosura Italiane. Shpreh gjithashtu dhimbjen time personale dhe marr pjesë në hidhërimin e familjeve të viktimave dhe popullit shqiptar. U dërgoj familjeve ngushëllimet e mia të sinqerta dhe të plagosurve urimet më të mira dhe një shërim sa më të shpejtë”.
Para tragjedisë së Otrantos ishte rënë dakord që gjatë vizitës time zyrtare në Itali, në krye të një delegacioni të madh të Ministrisë së Mbrojtjes, të firmosej dhe Protokolli që përmendej në deklaratën e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Tragjedia e Otrantos dhe tensioni i krijuar midis dy vendeve, sidomos nga disa deklarime të italianëve, përfshijë edhe zyrtarë të lartë, që kërkonin të shmangeshin nga përgjegjësia e tyre dhe fajin t’ia linin vetëm shqiptarëve, më detyronin të shpejtoja dhe të afroja datën e vizitës. Po ashtu, tepër i rëndësishëm dhe urgjent mbetej problemi i ardhjes së një force ushtarake ndërkombëtare që pritej të vinte në Shqipëri, ku nga pala shqiptare, ne si Ministri Mbrojtjeje do të kishim rolin kryesor. Por dua të vë në dukje se kishte mjaft reagime edhe në Tiranë, nëse duhej të shkoja në këto kushte në Romë, madje sipas disa politikanëve tanë që shpreheshin publikisht, se në shenjë proteste nuk duhej të shkoja në këtë kohë në Itali……
Unë mendoja, çka e kisha shprehur publikisht, se vizita jonë në Romë pavarësisht nga momenti i vështirë, gjithsesi do të ndikonte në uljen e tensioneve (krahas italianëve edhe zyrtarë tanë ishin shprehur shumë qartë ku kërkonin që pala italiane të merrte përgjegjësitë që i takonte). Deri në atë moment unë, si ministër Mbrojtje nuk isha shprehur në asnjë rast zyrtarisht për tragjedinë e Otrantos. Prisja vizitën dhe bisedimet sy më sy me ministrin Andreata (edhe ai kishte lënë shteg për interpretime sipas dëshirës së njërit apo tjetrit) për të parë reagimin e tyre dhe kryesorja të përcaktonim disa rregulla e masa për të ardhmen, sidomos lidhur me kontrollin e ujërave tona territoriale. Isha i bindur se pavarësisht se nuk e shprehja, italianët ishin shumë të interesuar për të realizuar vizitën sa më shpejt, sepse nënshkrimi i marrëveshjes midis dy Ministrive të Mbrojtjes për kontrollin e ujërave tona nga anijet italiane (me ekuipazh të përbashkët italian dhe shqiptar) u krijonte mundësi italianëve të kontrollonin më mirë ujërat e Adriatikut që në bregdetin tonë, dhe të pengonin largimin masiv të shqiptarëve drejt Italisë.