Deputeti demokrat, Dashnor Sula, tha se Presidenti duhet të vijë nga radhët e sistemit të drejtësisë.
Duke folur në studio pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, deputeti Sula tha se ky post mund t’i besohet dhe Ina Ramës, pasi sipas tij, ajo është një gjyqtare të papërlyer dhe me integritet në vendimet e saj.
“Në mbledhjen e grupit u morën vendime të rëndësishme, por sigurisht ka diskutime dhe debate sa i përket zgjedhjes së Presidentit. Qëndrime ka të ndryshme, por e rëndësishme është që fjala “bojkot” nuk duhet të ekzistojë më tek opozita. Unë jam i bindur që asnjë deputet i PS nuk ka asnjë lloj informacioni se kush do të jetë President, apo për emra të caktuar, por jam i bindur që opozita ka mbajtur qëndrimin e qartë. Tërheqja jonë ishte e drejtë, sepse në momentin që ne bëmë diçka konkrete në nxjerrjen e emrave, që nuk ishte diçka përfundimtare, por që nuk u pranua nga mazhoranca. PS nuk jep asnjë lloj garancie. Po e them copë që ky është legjitimitet i cunguar.
I jam drejtuar Berishës, duke i kërkuar që të mos përçahet PD. Asnjëra palë nuk bëri atë që duhej bërë, as Berisha, as Basha. Ka dhe një shans të fundit, që është vendimi i Gjykatës së Apelit. Nëse palët nuk do të bashkohen dhe do të bëjnë lojën e kungulleshkave, turpin do ta kenë kokat, jo demokratët.
Sa i përket Presidentit, unë nuk kam propozuar asnjë emër. Unë do dëshiroja që Presidenti të ishte nga sistemi i drejtësisë. Politikanët janë konfliktualë me njëri-tjetrin. Edhe Ina Rama padiskutim është një personalitet publik në sistemin e drejtësisë, e pa përgojuar, e pa përlyer. Nga informacionet që kam, Ina Rama ka treguar integritet në vendimmarrje, së bashku me disa të tjerë. Por, politika nuk i do këta, i do nga radhët e tij, sepse i mbajnë të lidhur me fijet e tyre. Rama e Balla e kanë zgjedhur dhe mendoj që do të jetë një kandidat, që përmbush shijet e tyre.
Do të uroja që raundi i tretë i bisedimeve për Presidentin të mos dështojë, pasi nëse emri zgjidhet nga grupi opozitar bashkë dhe mazhoranca, ky President është i gjithëpërfshirë, është i të gjithë shqiptarëve. Ndryshe le ta marrin dhe Presidentin, në pushtet nuk ngopen, në para jo, e kam thënë që janë të pashpirt. Këta janë tafmaqarë dhe të pangopur për pushtet”, tha deputeti Sula./m.j