Nga Adriatik Doci
Rezarta Zhukri ka qenë sekretare personale e Sali Berishës gjatë pushtetit të tij të parë. Emri i saj doli në pah gjatë javëve të fundit, pasi bashkëshorti i saj gjyqtar, Agron Zhukri, i dorëzoi Partinë Demokratike bashkë me vulën Sali Berishës, duke i njohur Kuvendin Kombëtar të dhjetorit 2021, statutin paralel të partisë, strukturuarat paralele dhe si rrjedhojë edhe shkarkimin Lulzim Bashës.
Nga viti 2017 deri në vitin 2020, Rezarta Zhukri deklaron rreth 1.5 milionë USD të ardhura nga agjenci udhëtimesh dhe sigurimesh. Në 2017, që përkon me përpjekje për zbatimin e ligjit të Vetingut, bashkëshortja e gjyqtarit Agron Zhukri, ish sekretare e Berishës, deklaron rreth 500 mijë USD të ardhura dhe rreth 435 mijë USD në vitin 2018. Në 2019 deklaron rreth 230 mijë USD të ardhura dhe në vitin 2020 rreth 350 mijë USD.
Në vitet 2003, 2004 dhe 2005, të ardhurat e bashkëshortes Rezarta Zhukri janë të papërfillshme. Befas në vitin 2006 deklaron 135 mijë euro të ardhura nga biznesi, agjenci udhëtimi dhe sigurime. Në vitin 2007 deklaron 65 mijë euro, në vitin 2008 rreth 75 mijë euro, në 2009 rreth 32 mijë euro, në 2010 deklaron rreth 60 mijë euro, 7.1 milionë lekë në 2011, 8.5 milionë lekë në 2012 dhe 8 milionë në 2013.
Në vitin 2014, Rezarta Zhukri deklaron 19.8 milionë lekë ose rreth 200 mijë USD të ardhura, 10 milionë lekë në 2015 dhe 11 milionë lekë në 2016. Pas vitit 2016, vihet re një dyfishim deri në trefishim të ardhurave vjetore të zonjës Zhukri.
Pasuria qindra mijëra euro
Kur ka deklaruar për herë të parë pasurinë në vitin 2003, Zhukri deklaronte se ishte pronar me 50 % i një shtëpie banimi dhe një zyre 50 m2 (agjenci udhëtimesh), me vlerë 5 milionë lekë ose rreth 50 mijë USD. Në vitin 2006, gjyqtari Agron Zhukri deklaron blerjen e dy apartamente me vlerë 280 mijë euro si dhe një makinë Volsvagen Classic me vlerë 43 mijë euro, makinë kjo për bashkëshorten. Në vitin 2006, deklarohet edhe shitja një apartamenti ndërtuar mbi truallin e familjes, me vlerë 30 mijë euro, si dhe 30 mijë euro të ardhura nga investimi në ndërtim.
Ndërkaq, dy apartamentet i jep me qira, ku deklaron deri në 21 mijë euro të ardhura në vit. Por, nga ana tjetër, deri në 13 mijë euro në vit i shpenzojnë për shkollimin e djalit.
Në vitin 2017 gjyqtari Agron Zhukri deklaron një kontratë si përfitues i një sipërfaqeje ndërtimi si pronar i truallit ku po ndërtohet një pallat. Në vitin 2018, deklaron rreth 48 mijë USD nga qiratë, rreth 15 mijë USD pagën e bashkëshortes përveç 420 mijë USD të ardhura nga biznesi, rreth 16 mijë USD të ardhura nga aktiviteti privat i djalit, si dhe pagën e tij si gjyqtar 1.3 milionë lekë ose rreth 13 mijë USD.
Në vitin 2019, ka shtuar një kat tek një banesë në Qerret, me vlerë investimi 2.3 milionë lekë, ndërsa vetëm nga qeratë deklaron 4.4 milionë lekë ose rreth 44 mijë USD. Ndërsa në vitin 2020, deklaron një shtesë në pasuritë të e paluajtshme, konkretisht një truall me vlerë 16 mijë euro në Tiranë, ndërsa të ardhurat familjare janë mbi 400 mijë USD. /e.d