Ulja e ndjeshme e temperaturave javën e fundit ka mbuluar me borë shumë prej vendeve malore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e në botë. Por ndërsa moti i keq dhe bora kanë filluar të bëhen rrezik serioz për shumë vende të botës, për një pjesë të personazheve të njohur të showbiz-it shqiptar ndodh krejt e kundërta. Këtë fundjavë dhe këto ditë të fundit të janarit, disa kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë pushimesh mes bardhësisë së borës, shkruan revista Class.
Tuna dhe Cozman, panë ç’panë u bënë bashkë dhe tani vijojnë të postojnë foto nga çdo vend ku gjenden. Ditët e fundit, ata po i kushtojnë më shumë kohë vetes, duke shijuar borën dhe skitë para se të fillojnë sërish sezonin e koncerteve me vrullin që vetëm ata dinë.
Amarda Toska. Këtë herë ka dalë pa Ermalin, por kuptohet që edhe ai është aty rrotull. Tashmë është e njohur dashuria e çiftit simpatik për borën, sepse pothuaj çdo vit në janar ia falin vetes disa ditë mes bardhësisë së saj.
Arbana Osmani. Një ditë më parë ka postuar një foto nga Brezovica, ku së bashku me mikeshën e saj, Xhemi Shehu, kanë vendosur të kalojnë një fundjavë ndryshe. Ndërkohë që në Top Channel sonte transmetohet finalja e “Në 1 javë”, Arbana shijon pak bardhësitë në resortet e Brezovicës.
Viola Spiro ka preferuar të kthehet në borën e vendlindjes. Korça, qyteti i saj i dashur është po kaq i bukur në këtë sezon të bardhë. Viola ka edhe një shok me vete, ose më mirë, një çun, që siç thotë ajo, është rritur pak, qeni Poco. Po shoku i vërtetë, natyrisht, është ai misteriozi që i bën fotot dhe videot.