Nga Fatmir Merkoçi
Tashmë Reforma për Drejtësi ka marrë udhën e saj. Të gjithë janë vërsulur për t’u bërë protagonistë të kësaj reforme. Ajo që të bie në sy është fakti se gjatë gjithë kësaj kohe,ka pasur një heshtje totale. Asnjë analizë, asnjë opsion, apo asnjë mendim. Të gjithë flasin në bazë të atyre vërejtjeve apo sugjerimeve që ka sjellë Komisioni i Venecias. Ky komision, në punën e tij, ka marrë ‘propozimet” e komisionit të Reformës apo grupit të ekspertëve të “ nivelit të lartë” dhe në fund: ç’është në të vërtetë kjo Reformë? Cilat janë qëllimet e saj? Cili e kryen këtë Reformë? Po roli i politikës në të? Dhe a është realisht një reformë gjithëpërfshirëse? Cili është roli i ndërkombëtarëve dhe sidomos i znj. Vlahutin, si përfaqësuese e BE-së dhe z. Donald Lu si ambasador i Amerikës? Përfundimisht, kjo Kushtetutë është brenda kornizës së një Republike Kuvendare ? Apo u është dhënë me konçesion të huajve? Por le t’i shohim të gjitha me radhë
Qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës
Për të kryer Reformën, duhet domosdoshmërisht një bazë ligjore. Kjo gjë mungon. Në të gjitha tryezat apo takimet që janë bërë dhe unë kam pasur mundësinë e pjesëmarrjes, këtë pyetje e kam bërë dhe çuditërisht askush nuk kishte një përgjigje. Me pak fjalë, kjo Reformë ka nisur si anti-ligjore. E gjithë struktura e saj, u vet-emërua nga politika por e financuar nga SOROS-i. Financimi vë në dyshim të thellë se kjo reformë ka në themel domosdoshmërinë e saj për të sjellë ndryshime në sistemin e drejtësisë. Apo kjo po bëhet e stisur nga segmente të tjera siç është vetë SOROS-i. Kjo, pasi vetë Kryetari i kësaj Reforme, z. Fatmir Xhafa sëfundi e deklaroi një gjë të tillë. Dukshëm kemi të bëjmë me një reformë, e cila duke qënë anti-ligjore, kërkon të përshtatet me Kushtetutën e vendit. Pra, lindi si domosdoshmëri edhe ndryshimi i Kushtetutës. Kjo tregon se veprimet e kryera deri tashti janë anti –kushtetuese. Si të tilla, ato nuk do sjellin asgjë më shumë se një kaos në drejtësinë shqiptare. Apo e thënë më troç: Po shkon hanxhiu tek qiraxhiu, e jo qiraxhiu tek hanxhiu.
Kush po e kryen reformën
Duke e anashkaluar Komisionin e Reformës, i cili caktohet nga Kuvendi, kjo Reformë po përgatitej nga ekspertët, pra një grup ekspertësh të pa varur dhe tepër të aftë për të kryer këtë Reformë. Nëse do ishte përzgjedhje transparente, minimalisht do bëheshin publik dhe emrat e tyre. Emra të cilët u bënë publik pasi materiali u çua në Venecia.
Nëse këta ekspertë do i qëndronin strikt profesionalizmit, atëherë ata nuk do pranonin që kjo reformë të niste në këtë formë. Gjithashtu do kërkonin që fillimisht të kishim ndryshimet kushtetuese dhe më pas të niste reforma. Mirëpo, këta ekspertë, të cilësuar “të nivelit të lartë” jo vetëm që nuk e kërkuan një gjë të tillë,por dhe treguan haptas se janë njerëz tej e të politizuar, e ku pjesa më e madhe e tyre kanë dalë nga ajo derë. Gjithashtu u deklarua se dhe ndryshimet ishin përgatitur nga vetë SOROS-i. Atëherë ku qëndron profesionalizmi i këtyre ekspertëve? Ashtu siç kam deklaruar edhe në shkrime të tjera: Ekspertët e bërjes së reformës duhet të deklaronin se pas kësaj reforme nuk do jenë drejtues të institucioneve të drejtësisë për një periudhë kohe. Duke qenë pjesë aktive dhe e dukshme e politikës, këta ekspertë, nuk kanë bërë asgjë më shumë se sa kanë firmosur atë çka ju ka ardhur e gatshme në tryezë.
Janë po këta ekspertë që presin vërejtje apo sugjerime nga Komisioni i Venecias, për të vendosur firmën përfundimtare për këtë reformë. Nëse do ishin vërtetë ekspertë, minimalisht duhet të vendosnin firmën në emër të tyre e jo në një letër të importuar. Fatkeqësisht, pjesa e tyre mbajnë tituj e grada shkencor. Kjo tregon jo vetëm paaftësinë e tyre profesionale, por kjo Reformë duhet të nisi nga vetë këta ekspertë të “nivelit të lartë”. Janë po këta ekspertë që nuk bënë asnjë debat profesional në media. Është ky grup ekspertësh, që nuk ka deklaruar një herë të vetme se kush e bën oponencën e tij.? A mundet të bëhet një reformë e tillë pa oponencë? Unë them me bindje se jo. Këta ekspertë përveç mirpagimit që kanë marrë, asgjë tjetër nuk kanë bërë. Po, harrova, kanë bërë dhe zbatuar urdhrat e partive politike në vend.
Roli i politikës
Kjo Reformë më shumë se Drejtësisë i duhet Politikës. Kjo ka shumë arsye. Por, ajo që është më kryesorja, është fakti se kjo politikë e inkriminuar, kërkon me çdo kusht t’i shpëtojë Drejtësisë. Politika gjithë kohën i ka shpëtuar Drejtësisë. Por sot, kur korrupsioni është ulur këmbëkryq në vend, duhej një lëvizje e detyruar, kjo jo për të qenë në rregull me shqiptarët, të cilët për hir të së vërtetës, nuk reagojnë kundër këtij fenomeni, por për faktorë të tjerë. Përkundrazi, për një politikan, ministër, K/Ministër, President e kushdo tjetër që vjedh, quhet i zoti e i aftë dhe nderohet, respektohet madje dhe votohet,
Në këto kushte, politika bëri lëvizjen e radhës. Ajo krijoi idenë se drejtësia është e korruptuar. Por kjo drejtësi, këta gjyqtarë e prokurorë, Ministrat, KLD-ja etj., në sistem, a nuk zgjidhen dhe emërohen nga vetë politika? A nuk janë vallë këta gjyqtarë e prokurorë që janë të kapur nga politika? A është përfolja më e madhe ndaj pagesave që bëjnë gjyqtarët e prokurorët për t’u emëruar? A është shkolla e magjistraturës që është kthyer në një çerdhe korrupsioni? E pra të gjitha janë të emëruarit e politikës. Të gjitha ndryshimet i bën politika, por jo për të sjellë drejtësinë në binarë, por për të emëruar kush e kush sa më shumë militantët e saj. Emërime të tilla vijnë si pasojë e mentalitetit të shkuar. Askush nuk e deklaron se: Ne, në sistemin e drejtësisë na mungon, qoftë gjyqtari qoftë dhe prokurori i karierrës. Karriera bëhet vetëm nëpërmjet pagesës dhe lidhjeve me politikën. Ky është një fakt që nuk ka nevojë për fakte, pasi çdo shqiptar po ta pyesësh të njëjtën përgjigje do japi.
Gjithpërfshirja në Reformë.
Duke qenë një reformë, e cila prek thelbin e Shtetit, kjo Reformë normalisht duhet të jetë gjithpërfshirëse. E thënë më drejtë: Çdo shqiptar duhet të jetë pjesë aktive e kësaj Reforme. Nëse do zbatohej kjo gjë, Reforma nuk mundet të bëhet në mënyrë të njëanshme, ashtu siç po e bëjnë “ustallarët e vendit”. Në këtë Reformë, fjala apo mendimi qytetar nuk merret në konsideratë. Më e keqja është se as zëri kritik nuk dëgjohet. Metoda e zgjedhur, duke bërë takime në auditorët e universiteteve është paradoksale. Në këto takime, jo vetëm nuk ka zë kundra, por dhe në ka, ai nuk merret në konsideratë. Rrethi vicioz që ka kapur drejtësinë nuk pranon kurrsesi të ketë mendime të kundërta.. si e tillë ajo bëhet e mbyllur dhe pa oponencë.
Mbyllja e diskutimeve vetëm në një rreth të ngushtë, ka sjellë një amulli në këtë Reformë. Këtyre nuk ju duhet zëri opozitarë ( këtu nuk e kam fjalën për partitë opozitare), atyre ju duhet vetëm fasada. Ju duhet të japin përshtypjen se kjo gjithpërfshirje është bërë dhe e shesin si të tillë. Nëse do kishte gjithpërfshirje, atëherë do kishte debat të gjerë publik. Debati publik mungon, mungon jo vetëm në median e shkruar, por dukshëm dhe në median vizive. Dhe vetë televizioni publik, i cili paguhet nga parat tona, nuk e bën një gjë të tillë, e jo më televizionet private, të cilat shkojnë sipas interesit të politikës. Mos debati publik. Tregon se kjo Reformë është e paracaktuar. Është një reformë e importuar dhe duhet me patjetër të miratohet ashtu siç e kanë sjellë “padronët” që po komandojnë vendin tonë.
Nëse do kishte gjithpërfshirje, do dilte hapur shkelja ligjore. Do dilte në pah se duhej një Kushtetutë e re. Do deklarohej se sistemi ka rënë. Por një gjë e tillë nuk duhet deklaruar të paktën në median vizive. Autoritetet nuk duan reformë, duan thjesht një servilizëm ndaj të huajve. Ndaj atyre që ja kanë servirur e kërkuar këtë reformë.
Kushtetuta jepet me koncesion
Reforma në drejtësi tregoi se Sistemi ka rënë. Ndaj duhet një Kushtetutë e re. Këtë fillimisht nuk e pranuan, por sëfundi arritën ta pranojnë. Mirëpo, kushtetuta nuk mundet të bëhet në një periudhë kaq të shpejtë. Nuk mundet të bëhet me këtë mentalitet, që zotëron në drejtësinë tonë, Po të shohim me vëmendje: Kjo Reformë drejtohet nga ishat, që nga Kryetari i Komisionit e me radhë e deri tek specialistët e “nivelit të lartë”. Të gjithë këta specialistë e treguan veten si njerëz që kanë mentalitetin e partisë – shtet. Këta nuk dolën dot në nivelin profesional. Të vjen keq kur dëgjon se si e shpjegon ndryshimin në kushtetutë pedagogja Aurela Anastasi. Vetëm ky fakt, të mjafton. Tregon se reforma në drejtësi, sëpari duhet të fillonte nga ndryshimi i mentalitetit, e të vazhdonte me fakultetin e drejtësisë, apo shkollën e magjistraturës, për të dalë tek ndryshimet e Kushtetutës. Më pas të bëheshin kodet e ligjet për të funksionuar vetë sistemi. Por dhe në ndëshkueshmërinë e gjyqtarëve e prokurorëve që janë jo vetëm të korruptuar, por dhe të pa aftë. Paaftësia e tyre ka ardhur nga vetë sistemi. Pasi të fillosh punën apo të emërohesh kundrejt një shume parash, ç’mundet të presësh nga ata.
Prandaj politika nuk ka ndërmend reformën. Ajo sot, ka dhënë me koncesion Kushtetutën. Koncesionari me sa duket është vetë SOROS-i, i cili paguan për këto ndryshime në Kushtetutë.
Në ç’vënd të botës ndodh që të bësh ndryshime në kushtetutë. Dhe jo pak,por plot 60 nene të saj ndryshohen. Po me çfarë morali e bëjnë këta këtë ndryshim? Kur vetë Kuvendi është burim i korrupsionit dhe i lidhur me krimin e organizuar. Si është e mundur që këta nuk pranojnë që Kushtetuta të aprovohet me Referendum popullor. Kurse për ta shmangur Referendumin, sot kërkohet që reforma bashkë me të dhe ndryshimet në Kushtetutë të kalojnë me 93 vota. Pra, të ketë një konsensus midis Pozitës dhe Opozitës kuvendare.
Varianti tjetër është dhe kalimi i Reformës më referendum. Nëse do ishte një deklaratë e thjeshtë nuk do e merrja në konsideratë. Por kur bëhet zyrtare, atëherë nuk mundem ta anashkaloj. Që ta kalosh reformën në referendum, duhen të paktën dy platforma për këtë Reformë. Të parën e dimë. Po e dyta ? Kjo nuk mundet të quhet më aprovim me referendum, por diktati ndaj popullit. Nëse popullin nuk e lejon të zgjedh,të vendos me vullnetin e tij, atëherë do kemi thjeshtë një vazhdimësi të periudhës diktatoriale. Pra, partia vendos e populli shkon si dele në votim. Këtë e provuam në aprovimin e kësaj Kushtetute. Kjo Kushtetutë prodhoi, vetëm një sistem parti- shtet. Këtë sistem po vuajmë dhe sot. Pas kësaj reforme, kushdo që do vij në pushtet, do ketë të gjitha mundësitë e kapjes së shtetit dhe vendosjen e diktatit.
Për të qenë sa më të “ndershëm” para popullit, këta pranuan koncesionin e kësaj reforme. Në këtë lojë u futën dhe ndërkombëtarët. Më aktivi u bë ambasadori Lu. ,i cili me termin e nevojshmërisë së ndëshkimit, kaloi çdo cak të një ambasadori. Në një farë mënyre, nën reshta apo pak tërthorazi, si ndërkombëtarët ashtu dhe z. Lu, po tregojnë se sovraniteti i shtetit shqiptarë nuk është më në dorë të shqiptarëve apo politikanëve e qeverive shqiptare. Sovraniteti do jetë në dorë të ndërkombëtarëve, të cilët fatkeqësisht, eksperiment të tillë nuk mundet ta bëjnë në asnjë vend tjetër për veçse në Shqipëri. Zoti e shpëtoftë këtë vend, pasi politikanët e shtetarët tanë, nuk janë asgjë më shumë se sa vartës të kalatave të ndryshme që nuk duan zhvillimin dhe përparimin e këtij vendi.