Shkrimtari shqiptar Arian Leka vlerësohet me çmimin e lartë letrar “Tudor Arghezi” për vitin 2022, dhënë në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Rumani. Veprimraria e rëndësishme letrare u zhvillua në qytetin rumun Târgu Jiu mes datave 19 dhe 22 maj 2022, si pjesë e edicioni 42 të Festivalit. Përveç vlerave letrare të lidhura me poezinë, ky qytet është mjaft i njohur, pasi “strehon” Ansamblin Monumental “Tryeza e Heshtjes”, “Porta e Puthjes” dhe “Kolona e Pafundme”, krijuar nga patriarku i modernizmit në skulpturë Constantin Brâncuși.
Këtë vit fitues i Çmimit “Opera Omnia – Autorë të Huaj” ishte shkrimtari shqiptar Arian Leka, të cilit iu vlerësua vepra poetike dhe ajo eseistike, botuar tashmë me sukses në disa gjuhë të huaja e veçmas në rumanisht (me vëllimin “Anija e Gjumit” / “Nava Somnului” dhe “Biblioteka lundruese” / “Biblioteca plutitoare” – antologji autori).
Në vlerësimin e saj për çmimin ndërkombëtar “Tudor Arghezi” juria, Juria, e kryesuar nga Horia Gârbea (poet, dramaturg dhe përkthyes i mirënjohur i veprës së Shakepeare) çmoi lart risitë stilistike e tematike, si dhe thellësinë befasuese të poetikës së Arian Lekës, jo vetëm si përfaqësues i letrave shqipe, por edhe i atyre europiane. Përveç librave të Arian Lekës, botuar më herët në gjuhën rumune, juria vlerësoi shumë edhe publikimet e shpeshta të shkrimtarit shqiptar gjatë viteve 2020-2021 në revistat më të rëndësishme rumune, si NEUMA (Pionieri, gabeli, si traficanti de femei), ROMÂNIA LITERARĂ (Mai presus de cuvinte), CONVORBIRI LITERARE (Auschwitz maritimo; De unde a venit Lumina?; ) LUCEAFĂRUL DE DIMINEAŢĂ (Poetul în piaţă) etj, në të cilat Arian Leka botoi ese nga libri “Në kërkim të këmishës së humbur” dhe poezi nga libri “Hartë memece për të mbyturit”.
Festivali “Tudor Arghezi” organizohet nga Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë dhe në ceremoninë e çmimeve mori pjesë e Akad. Nicolae Manolescu, president i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Festivali mban emrin e njërit prej klasikëve të letërsisë rumune, Tudor Arghezi (pseudonim letrae i Ion Nae Teodorescu-t, 21 maj 1880-14 korrik 1967). Poet, prozator, dramaturg dhe gazetar gjenial, Arghezi vlerësohet si njëri ndër tre autorët rumunë që e e sprovuan rumanishten deri në skajet e saj shprehimore, duke i zbuluar mundësi e fuqi metaforike të panjohura më parë (bashkë me Eminescu-n dhe Nichita Stănescu-n). Autor i një vepre poetike me thekse moderniste e simboliste, i një proze tejet të pasur, i disa librash tashmë mitologjikë për fëmijë, i mjaft pamfletesh të shndërruar në pika referimi, por edhe zbulues e botues talentesh të reja, Arghezi ndikoi mbi mjaft autorë të shquar dhe në jetën letrare rumune për mbi gjysmë shekulli. Ishte akademik, kandidat për Çmimin Nobel, por edhe prani e fuqishme në hapësirën anekdotike të bohemës rumune.
Falë përkushtimit të organizuesve ndaj vlerave estetike e artistike, laureatët e Çmimit Arghezi gjatë këtyre 42 edicioneve janë emra të mëdhenj të letërsisë rumune, mes të cilëve edhe Ana Blandiana, Nichita Stănescu dhe të disa letërsive të tjera europiane.
Arian Leka është i pari autor shqiptar që fiton këtë çmim të rëndësishëm ndërkombëtar.
Në këtë edicion të Festivalit, poeti Arian Leka u paraqit me librin “Hartë memece për të mbyturit”, libër ky i përkthyer në mjaft revista letrare në gjermanisht, frëngjisht, italisht, spanjisht si dhe në disa gjuhë të rajonit i vlerësuar veçanërisht për poemën “Auschwitw detar”, përuruar në tetor të vitit 2021 në Coruña në një nga skenat më të rëdësishme të përfaqësimit të poezisë në botë “Poetas Di(n)versos”.
Çmimi “Tudor Arghezi” është çmimi i tretë ndërkombëtar për poetin Arian Leka, i cili më parë është vlerësuar me “Skepri poetik”, dhënë nga Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë së Veriut (Shkup, 2019) dhe çmimin “Poet i kryeqytetit poetik të Rumanisë” (Çmim i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rumanisë (Iasi, 2019). Ndërkohë, libri “Hartë memece për të mbyturit” do të botohet brenda vitit 2022 në greqisht (përkthyer nga Andrea Zarballa), serbisht (përkthyer nga Merima Kriezi) dhe e maqedonisht (përkthyer nga Ilir Ajdini).
Veç këtyre, Arian Leka kumtoi edhe mbi një studim të vitit 1944, me autor Mitrush Kutelin, kushtuar poetit kombëtar të Rumanisë, Mihai Eminescu dhe “fenomenit Eminescu” , të cilin Kuteli e vlerëson si “poet, shkrimtar e luftëtar në sheshin e ideologjive”, krijues të gjuhës letrare rumune së cilës i fali kryevepra, duke shkaktuar “një tërmet të math, vazhduar prej një vepre krijonjëse edhe më të madhe…. Sikur të kish ngjarë një gjë e tillë në fushën e jetës shoqërore edhe politike, fushë në të cilën Eminescu hodhi shumë shkëndija nga gjeniu i vet, pa fjalë se gjendja e vëndit të vet do ish krejt e ndryshme nga e sotmja,” thekson Kuteli. Në takim Arian Leka foli edhe mbi një botim të veçantë në revistën rumune “Convorbiri Literare” të vitit 1939 ku, veç studimit të Kutelit mbi Eminescu-n, poezi të poetit të madh janë publikuar edhe në versionin shqip.
Sipas traditës, fotot e fituesve të çmimit letrar ndërkombëtar “Tudor Arghezi – Opera Omnia” vendosen në një dhomë të veçantë të Muzeut të poetit më të shquar rumun të shekullit XX: një shtëpi e fshehur mes qetësisë së natyrës në Târgu Cărbuneșt, larg zhurmës dhe trafikut ë të rënduar, në sallat e të cilës ruhet skrivania, dorëshkrime, letërkëmbimi, një pjesë e bibliotekës, pikturat e skica grafika të realizuara nga Arghezi ndër vite si dhe sende të përdorimit vetjak, që i japin vlerë të jashtëzakonshme kësaj shtëpie muze.