Kryeministri Edi Rama ishte sot në bregdetin e Durrësit në kuadër të ndërhyrjes së fundit të forcave të ushtrisë për pastrimin e ndotjes masive.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se:” Besoj se ky do të jetë sezoni më i pastër, edhe për shkak të punës së jashtëzakonshme që është bërë edhe për shkak të suportit financiar që është vendosur për t’i ardhur në ndihmë bashkive bregdetare, të cilat përjetojnë në sezonin turistik shumëfishimin e popullsisë dhe një ngarkesë ekstra që nuk përballohet dot me tarifat normalë që kanë. Është thelbësore që të gjithë të marrin pjesë në këtë përpjekje, ku nëse nga ana e bashkisë ka përpjekje për ta pastruar, të tjerët duhet të jenë për të mos ndotur.
Ky është elementi i parë i abetares së patriotizmit, të mos ndotim shtëpinë tonë. Do të vazhdojmë t’i rrimë mbi kokë kësaj pune, derisa të mbyllet gjithë sezoni, i cili me gjitha gjasat do të jetë edhe sezoni me fluksin më të madh dhe me konsumin më të madh”, tha Rama.
Ndërkohë, mbetet ende sfidë për institucionet pastrimi i pjesëve të tjera të qytetit të Durrësit të cilat janë të ndotura ku spikasin kanalet e ujërave të zeza mes fshatrave Xhafzotaj, Rrushbull, Kënetë, të cilat prej 30 vitesh ende nuk janë pastruar.
/a.r