Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se miqësia e SHBA-së me Arabinë Saudite është më e fortë se kurrë dhe se dy vendet do të punojnë së bashku për t’iu dhënë fund luftërave në Siri dhe Jemen.
Kerry i ka bërë këto komente sot, në përfundim të vizitës në Riad. Kery ka thënë se marrëveshja bërthmore me Iranin nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet Uashington-Riad, shkruan REL. Arabia Saudite, prej kohësh, e sheh Iranin si kërcënim rajonal.
Marrëveshja historike, e cila ka nisur të zbatohet një javë më parë, ka hequr sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit, pasi ky i fundit është pajtuar që të frenojë aktivitetin e tij bërthamor.
Kerry ka thënë se ka biseduar me zyrtarët sauditë për mënyrat se si t’iu jepet fund luftimeve në Siri dhe “ide të reja” për të sjellë paqe në Jemen.