Deputeti i opozitës dhe kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka sqaroi kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së kryetarit të përkohshëm të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe deputetes së Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda që presidenti i ri i vendit të jetë antikomunist.
Në një intervistë për Gazetën “SOT”, Duka theksoi se problem aktual i Shqipërisë nuk janë individët me bindje komuniste, por politikanët e korruptuar, etj. Për deputetin e opozitës, pasuesi i Ilir Metës duhet të jetë njeri me integritet të lartë, jashtë konjukturave oligarkike dhe korruptive si dhe të përfaqësojë të gjitha palët. Lidhur me negociatat me dy fraksionet e PD për çështjen e zgjedhjes së presidentit të tetë të kohës së pluralizmit të Shqipërisë, Duka bëri me dije se nuk do të bisedojë me asnjë prej dy grupimeve brenda partisë më të madhe opozitare pasi ata treguan se janë të interesuara për të luftuar me njëri-tjetrin duke injoruar rëndësinë e kontribuimit të zgjedhjes së një presidenti dinjitoz për vendin.
Ai theksoi se nuk ka besim se Partia Socialiste do të zgjedhë një president jo nga forca e saj politike. Mospërmendje e kandidatit nga pozita parlamentare ngre dyshime për ruajtjen e premtimit nga e tyre. Për sa i përket këmbënguljes së Partisë Socialiste për të mos pranuar asnjë propozim në Parlament nga ish-kryeministri Sali Berisha për çështje të ndryshme për shkak të statusit “non grata”, aleati i PD theksoi se do votojë pro çdo propozimi korrekt në Parlament, duke anashkaluar personin që e propozon idenë. Nisur nga votimi i mazhorancës socialiste kundër rezolutës së dënimit të gjenocidit serb në Srebrenicë gjatë Luftërave të ish-Jugosllavisë në vitet ’90, deputeti Duka u shpreh se PS duhej ta kishte miratuar një rezolutë të tillë pasi nuk i shkaktonte problem askujt.
-Kryetari i PR dhe aleati juaj Fatmir Mediu u shpreh javën e kaluar se ka biseduar me grupin negociator të Rithemelimit për gjetjen e kandidatëve për president. Ju a keni pasur kontakte me Rithemelimin për këtë çështje? Po me të mazhorancës?
Aleatët tanë në opozitë dhe ne si PAA kemi qenë dhe jemi të të njëjtit mendim se opozita do të duhej të kishte ulur armët, të ngrinte “flamurin e bardhë” dhe të unifikohej për pak kohë në çështjen e negocimit për presidentin e republikës. Opozita duhej të kishte deleguar apo mandatuar një përfaqësi që të diskutonte me mazhorancën për kreun e ri të shtetit. Kjo gjë nuk ndodhi. Dhe për këtë përgjegjësia nuk është e jona, pra e partive aleate, pasi vetë Partia Demokratike nuk ishte në gjendje të unifikohej, qoftë edhe për këtë çështje. Të dyja palët e PD-së e shfrytëzuan dhe po e shfrytëzojnë çështjen e presidentit për të thelluar luftën mes tyre. Ne si PAA nuk kemi ndërmend të hyjmë në bisedime me asnjë prej fraksioneve të PD-së Rithemelimi apo ajo që njihet si grupimi i Alibeajt. Ne dëshirojmë të ketë një proces të ndershëm, të hapur për të zgjedhur njeriun që do të qëndrojë në krye të piramidës së republikës sonë dhe nuk do të bëhemi palë me grindjet në gjirin e PD-së.
-Keni thënë se jeni kundër presidentit antikomunist. Mendoni se ky propozim nuk do të pritet mirë nga aleatët tuaj PD, PR dhe PDIU?
Faleminderit për këtë pyetje, pasi besoj se ne në këtë vend duhet të ndajmë një gjë përfundimisht. Ka 30 vjet që komunizmi ka rënë dhe ne akoma merremi me komunistë dhe antikomunistë. Komunizmi është një ideologji dhe në Shqipëri komunizmi erdhi në pushtet për shkak të rrethanave historike. Por unë nuk di çfarë do të thotë antikomunist sot. Antikomunistë besoj janë të gjithë ata që nuk bien dakord me parimet komuniste siç janë e drejta e pronës, sistemi një-partiak politik, liria e besimit fetar, liria e fjalës dhe medias etj. Kështu që besoj se të gjithë ne jemi antikomunistë. Mund të ketë ca fanatikë që besojnë ende te komunizmi, por këta nuk i prishin punë askujt. Le të shkojnë atje tek varri i diktatorit kur kanë ditën e lindjes e të vdekjes, e drejtë e tyre. Nëse në të ardhmen shoqëria do të çmendet dhe do ta votojë një forcë politike komuniste të marrë pushtetin, atëherë të çmendet. Por, sot ne jemi dukshëm në anën tjetër. Sot Shqipërisë nuk i prishin punë komunistët apo ata që adhurojnë komunizmin. Sot Shqipërisë i prishin punë hajdutët. Ndaj, kur them se s’ka pse të kërkojmë një president antikomunist, nuk do të thotë se mendoj se na duhet një president komunist. Sikundër s’ka pse të kemi përcaktime të tjera si: antisocialist, antidemokrat, antifashist apo antiballist. Shqipërisë i duhet një president pro-shqiptar, e mbi të gjitha, një njeri me integritet publik, politik, moral, një njeri me i ndershëm dhe i drejtë, jashtë konjukturave oligarkike e korruptive. Një president jo palë politike, jo konfliktual, por as edhe një president që të bëjë vetëm qoka, që të vizitojë kishën për Krishtlindje, xhaminë për Bajram dhe teqenë në Ditën e Ashures. Ne kemi nevojë për një kryetar shteti që të përfaqësojë dhe demonstrojë dinjitetin dhe seriozitetin e shtetit.
-Keni deklaruar që nëse nuk gjendet një kandidaturë e përbashkët pozitë-opozitë, do të kërkoni firmat e 20 deputetëve nga opozita duke përfshirë dhe ata të Rithemelimit për një kandidat të përbashkët të opozitës të djathtë. Po punoni për këtë propozim? Nëse keni folur me opozitën për këtë variant, çfarë qëndrimi kanë mbajtur?
Unë nuk mendoj se presidenti duhet të jetë i socialistëve, i demokratëve apo i ndonjë grupimi tjetër politik. Presidenti duhet të jetë i Shqipërisë. Në këtë kuadër, ne si PAA mendojmë se nuk mund të bëhen negociata në ajër pa patur një emër. Për çfarë po negociohet sot? Kush është kandidati? Kriteret e tij ligjore i përcakton Kushtetuta, ne të tjetër çfarë kriteresh do të diskutojmë? Ne duhet të diskutojmë për njeriun, për ato vlera e parime për të cilat unë fola me lart. Kjo duhet të bëhet objekt diskutimi, të tjerat janë fjalë. Nëse në parlament do të vijë një kandidat për president me këto veti, padyshim që ne duhet ta votojmë. Konsensusin ne duhet ta arrijmë mbi njeriun, jo mbi pazaret politike. Ne si opozitë mund të kishim dakordësuar që të kishim një propozim tonin alternativ. Nëse mazhoranca do të përdorte forcën që i njeh numri i votave për një kandidat të papërshtatshëm, atëherë ne mund të tregonim publikisht se kemi kapacitete më të mira dhe njerëz që mund ta përfaqësonin më denjësisht shtetin dhe unitetin e popullit. Në kushtet kur nuk janë bërë publike emra kandidatësh zyrtarisht, ne nuk mund të paragjykojmë. Por pse jo, ne duhet ta kemi një ofertë për publikun, edhe nëse nuk fiton. Në politikë nuk fiton gjithmonë. E rëndësishme është të kesh një ofertë serioze.
-Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi u shpreh besimplotë se mazhoranca do ta mbajë premtimin për president jo socialist. Ju jeni shprehur pesimist. Pse? Besoni se PS po bën farsë për zgjedhjen e presidentit duke zgjedhur një nga socialistët?
Se kush ka besim e kush nuk ka, kjo është më shumë çështje personale. Unë edhe njëherë nuk dua ta shikoj presidentin si pro-këtij apo anti-atij. PS mund të sjellë një kandidaturë shumë serioze nga radhët e veta dhe ka njerëz të tillë, sikundër mund të sjellë një kandidaturë aspak serioze, që nuk mban teserën e saj. Nuk janë këta treguesit. Rama ka thënë se nuk do të jetë një president nga radhët e PS. Ta shikojmë kush do të jetë kandidati. Deri tani nuk dimë gjë. Unë pesimist jam për integritetin që do të ketë kandidati derisa ata vazhdojnë ta mbajnë sekret. Kjo është sikur ne të mblidhemi në një dasmë e të festojmë me dhëndrin, por nusen akoma nuk e dimë kush është. Megjithatë mendoj se edhe në rastin e presidentit, si në shumë çështje të tjera, do të ketë një dorë edhe faktori ndërkombëtar. Pra nuk do të mjaftojë konsensusi politik i brendshëm. Besoj se presidenti i ri do të jetë një njeri që gëzon edhe këtë mbështetje, dhe që ka një qasje të theksuar në mbështetje të reformës në drejtësi.
-Javën e kaluar mazhoranca nuk miratoi rezolutën e dënimit të genocidit serb në Srebrenicë. Ata u justifikuan se s’pranojnë propozime nga Berisha sepse është shpallur “non grata”. E gjykoni si veprim te pamoralshëm të PS për Srebrenicën, pasi është spastrimi etnik me i rëndë në Europë që pas Luftës ll Botërore dhe Shqipëria me Bjellorusinë, Serbinë dhe Rusinë janë të vetmet shtete europiane që nuk kane miratuar rezolutë për Srebrenicën?
Këto janë çështje me ndjeshmëri të madhe globale lidhur me ndëshkimin e krimeve kundër njerëzimit, genocidin etj, etj. Një rezolutë për të dënuar krimet në Srebrenicë as ndreq gjë në këtë kohë, por mbi të gjitha nuk i prish punë askujt. Ndaj socialistët duhej ta kishin votuar atë. Por mendoj se ata nuk kanë asnjë gjë me boshnjakët, viktimat e serbëve, apo me vetë Serbinë. E gjithë besoj se lidhet me faktin se rezolutën e propozoi Berisha dhe ata janë të vendosur të rrëzojnë çdo gjë që propozon Berisha në atë Kuvend.
-Personalisht, do të firmosni çdo propozim, kërkesë zyrtare të Berishës në Kuvend?
Ne nuk firmosin apo votojmë në mënyrë të verbër, as kur e propozon Berisha, as Rama, e askush tjetër. Unë personalisht nuk veproj në politikë me idenë që mbështes çdo gjë në kampin politik ku bëj pjesë dhe kundërshtoj çdo gjë që vjen nga kampi tjetër. Unë vë arsyen para instiktit politik. Nëse Berisha do të ketë të drejtë, do e mbështes, nëse jo, do e kundërshtoj. E po kështu do të veproj edhe me mazhorancën. Nëse do të vijë një nismë që i shërben popullit, ekonomisë, vendit, unë nuk do të pozicionohem kundër, vetëm sepse jam në opozitë.
/a.r