Janë zbardhur detaje të reja nga hetimet e SPAK pas mega operacionit të zhvilluar pak ditë më parë që çoi në arrestimin e disa personave që lidhen me krime të rëndë të ndodhur kohët e fundit.
Referuar të dhënave hetimore nga SPAK, mësohet se në ngjarjen e ndodhur më 29 Mars, Nuredin Dumani dyshohet se është tradhtuar dhe nxjerrë në pritë. Rezulton që i vetmi që ka pasur dijeni për lëvizjet e Nuredin Dumanit, ka qenë bashkëpunëtori i tij Henrik Hoxhaj po ashtu i arrestuar pas ngjarjes së ndodhur në Papër të Elbasanit. Burimet bëjnë të ditur se nga të dhënat hetimore të SPAK, rezulton se Henrik Hoxhaj të ketë nxjerrë Nuredin Dumanin në pritë. Nga të dhënat rezulton se Henrik Hoxhaj është kontaktuar nga anëtarë të grupit kriminal të Talo Çelës, për të nxjerrë në pritë Nuredin Dumanin në Papër të Elbasanit.
I pyetur në SPAK për ngjarjen e 29 marsit ku Nuredin Dumani, mbeti i plagosur, Henrik Hoxhaj ka ngritur alibinë se bashkë me Dumanin kishin shkuar në Elbasan për të vrarë biznesmenin Elton Kila. Dumani fillimisht ka kontaktuar Henrik Hoxhajn për të vrarë Elton Kilan (Otin e Elbasanit), por duke qenë se Henriku nuk po e gjente “porosinë” Nuredini ka ardhur vetë nga Kosova.
Nga atentati Nuredin Dumani mori një plumb në kurriz duke u plagosur rëndë. Ai ka telefonuar Henrik Hoxhajn duke i thënë se është plagosur. Më pas Henrik Hoxhaj ka shkuar tek vendi ku u plagos Dumani dhe më pas janë transferuar në Fier në banesën ku edhe u kapën nga policia. Dumani i plagosur pasi ka marrë mjekime paraprake ka ngritur dyshime tek miku dhe bashkëpunëtori i tij Henrik Hoxhaj, pasi sipas tij vetëm ai kishte dijeni për vendndodhjen. Dumani ka ngritur dyshime se u tradhtua nga Henrik Hoxhaj dhe këto dyshime i ka kthyer në bindje. Në bashkëpunim me të dashurën e tij nga Kosova, Nuredin Dumani duke qenë edhe në gjendje të rëndë shëndetësore, rezulton që e ka telefonuar vetë policinë duke treguar vendndodhjen dhe duke mundësuar arrestimin e tij por edhe të mikut që dyshohet se e tradhtoj, Henrik Hoxhaj.
/a.r