Përmes një konference për shtyp Presidenti i vendit Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për shtyp dhe ka cituar faktet të cilat ai i quan shqetësuese nga raporti i Parlamentit Evropian për Shqipërinë të miratuar pak ditë më parë.
“Dua të vlerësoj sot rezolutën e miratuar dy ditë më parë në PE me shumicë votash. Dua të vlerësoj mbështetjen e gjerë ndaj perspektivës për anëtarësim të plotë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por njëkohësisht dhe gjuhës së drejtpërdrejtë të përshkrimit të situatës në vendin tonë”, tha Meta.
Presidenti u ndal te çështja për çeljen e negociatave me BE.
“Përmes kësaj rezolute BE, kujtohet se anëtarësimi në BE varet nga reformat, duke nisur nga forcimi i Ligjit. Shpreh shqetësim serioz për klimën e polarizuar politike. Shpreh keqardhje për moszbatimin e Kushtetutës nga maxhoranca për para zgjedhjeve të 25 prillit. Bëj thirrje që të rritet demokracia dhe konkurrueshmëria partiake, si hap me rëndësi”, tha Meta.
Presidenti u shpreh se evidentohen problemet më madhore të vendit.
“Votimi në parim i kësaj rezolute tregon një qasje strategjikë për të përkrahur politikën e zgjerimit por natyrisht që i ka evidentuar të gjitha problemet kritike të vendit tonë, të demokracisë sonë, të lirisë së media, të problemeve të pluralizmit, me paralizimin e shtetit të së drejtës, korrupsionin e jashtëzakonshëm. Përmendet regresi I Shqipërisë në indeksin e anti korrupsionit. Evidentohet regresi për lirinë e mediave”, tha ai.
g.kosovari