Komisioni i Rithemelimit ka dorëzuar një kallëzim penal për kryetarin e Gjykatës së Tiranës për shpërdorim detyre si dhe për kancelarin e Gjykatës.
“Rithemelimi” ka kallëzuar penalisht Flamur Kapllanin në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Donald Xhelili, në cilësinë e Kancelarit te Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur sot kallëzim penal ndaj kryetarit dhe kancelarit, që sipas tyre në mënyrë të qëllimshme ende nuk i komunikojnë zyrtarisht Partisë Demokratike vendimet gjyqësore të cilat cenojnë interesa të ligjshëm të saj.
Kujtojmë që Gjykata e Tiranës pranoi dhe regjistroi statutin e PD të dalë nga kuvendi i 11 dhjetorit të organizuar nga Komisioni i Rithemelimit, por Enkelejd Alibeaj e ankimoi vendimin në Apel, i cili u pranua.
“1. Flamur Kapllani, në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; 2. Donald Xhelili, në cilësinë e Kancelarit te Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë;
3. Çdo person tjetër i pa identifikuar më sipër, që me veprimet apo mosveprimet e veta kanë përgjegjësi penale lidhur me faktin penal dhe veprat penale që kallëzojmë sot përpara jush.
Fillimin e ndjekjes penale për zyrtarët e kallëzuar nga ne me lart, akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kryer në “Bashkëpunim” parashikuar nga neni 25 i Kodit Penal” thuhet në njoftim./m.j