Kapet një shtetas austriak me një sasi kolosale farash kanabisi në Kakavijë.
Shërbimet e policisë kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin W. S., 56 vjeç, banues në Austri. Operacioni i koduar ‘Samos’ u finalizua në dalje të RSH-së në Kakavijë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 190 000 (njëqind e nëntëdhjetë mijë) fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, 57 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 250 ml vaj i dyshuar cannabis sativa, bimë e dyshuar narkotike e kultivuar në vazo, pajisje për rritjen e energjisë elektrike, sende të tjera që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe 4995 euro.
Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas do t’i trafikonte këto sende të kundërligjshme për në ishullin Samos.
Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i lëndëve narkotike”.
/a.r