Erling Haaland tashmë është një yll futbolli. Në moshën 21-vjeçare, ai ka firmosur një kontratë milionere me Manchester City. Fiziku i tij imponues dhe shpejtësia maksimale janë karakteristika të vështira për t’u parë në futbollin e sotëm.
Një trup që norvegjezi e ka skalitur që në moshën 16-vjeçare, kur është larguar nga shtëpia për t’u bërë lojtar profesionist. Për ta bërë këtë, Haaland ka ndjekur një plan të rreptë ushqimor, me të cilin dëshiron të imitojë idhullin e tij, Cristiano Ronaldon.
21-vjeçari ha makarona dhe gjellë pule të gatuara pa kripë apo vaj. Një dietë që e kombinon me peshk, falë një anekdote të treguar nga ish-shoku i skuadrës së portugezit te Manchester United, Patrice Evra: “Cristiano hante peshk, asgjë tjetër”.
Sipas informacioneve ekskluzive të “The Sun”, Erling Haaland, ashtu si CR7 dhe yje të tjerë të mëdhenj, ka edhe shefin personal të kuzhinës, i cili i përgatit gjashtë vakte që përbëjnë gjithsej 4000 kalori në ditë, në mënyrë që ai të mund të rrisë trupin e tij, duke e tonifikuar me seanca të gjata stërvitore.
Një konsumim i kalorive që nuk i befason shokët e skuadrës. Pikërisht kjo është arsye pse bashkëkombasi i tij, Josh King, e ka krahasuar më parë Haalandin me “ariun” për shkak të oreksit të tij të pangopur: “Kurrë, nuk kam parë askënd të hajë aq shumë sa ai. Ha si ariu”.
Me një dietë kaq të rreptë gjatë gjithë vitit, ai e lëshon pak veten në Norvegjinë e tij. Atje, bashkë me miqtë dhe familjen e tij viziton disa nga restorantet ku shkonte qysh fëmijë, si ‘Yummy Time’, i cili shërben ushqimin e tij të preferuar, pica dhe qebap.
“Më pëlqen shumë qebapi. E dua, edhe pse kjo nuk do të thotë që e ha gjatë gjithë kohës”, – ka thënë futbollisti në një intervistë të fundit. Kjo nuk është e vetmja pjatë me të cilën ai prish dietën e tij me raste.
Kur udhëton për në Bryne, ai viziton gjithashtu restorantin kinez ‘Wen Hua House’ për pjatën e preferuar; pulën e thartë. “Erling u rrit në këtë restorant, ai ka ardhur këtu me familjen që kur ishte fëmijë”, – tha pronari për tabloidin britanik.