Hakerët kibernetikë rusë mund të synojnë festivalin Eurovision për të ndaluar Ukrainën të fitojë çmimin kryesor.
Në një postim në Telegram me logon e Eurovisionit, Killnet shkroi: “Nuk mund të votoni në internet”.
Të martën, Kalush Orchestra u ngjit në gjysmëfinalen parë të festivalit, të mbajtur në Torino, Itali.
Kënga e tyre, “Stefania”, përmban vargun: “Unë gjithmonë do të eci drejt teje nëpër rrugë të prishura” – dhe është bërë edhe më domethënëse pas muajve të shkatërrimit të Ukrainës nga forcat ruse.
Mbrëmë, Killnet postoi një mesazh duke thënë se për një sulm tjetër ‘nuk ia vlen koha’, raportoi The Sun.
Kjo vjen pasi hakerët pro-rusë sulmuan faqet e internetit të disa institucioneve italiane, duke përfshirë senatin, njoftoi të mërkurën agjencia e lajmeve ANSA.
Faqet e internetit të senatit, dhomës së lartë të parlamentit të Italisë dhe ISS u kthyen në internet në orën 20:00 (18:00 sipas kohës lokale). Një orë më parë, ishte e pamundur të qasesh në to.
Kryetarja e Senatit Elisabetta Casellati tha në Twitter se sulmi i hakerëve nuk kishte shkaktuar asnjë dëm. “Këto janë incidente të rënda, të cilat nuk duhen nënvlerësuar”, ka shkruar ajo.Ministria e mbrojtjes, uebfaqja e së cilës nuk ishte e disponueshme, tha në një deklaratë se kjo ishte ‘për shkak të aktiviteteve të planifikuara prej kohësh të mirëmbajtjes që po vazhdojnë në uebsajt’.
Një burim në agjencinë italiane të sigurisë kibernetike tha se ata po punonin me administratat e prekura për të rivendosur faqet e internetit, duke sugjeruar “kundërmasat e para të përshtatshme teknike”.
Policia tha se një hetim ishte në vazhdim, por nuk bëri komente të mëtejshme.
Që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, shumë qeveri perëndimore kanë ngritur nivelet e alarmit në pritje të sulmeve të mundshme kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturës së IT-së.
Në fund të marsit, kompania hekurudhore italiane Ferrovie dello Stato Italiane (FS) ndaloi përkohësisht disa shërbime të shitjes së biletave nga frika se do të ishte shënjestruar nga një sulm kibernetik.
Në prill, Ministria e Tranzicionit të Ekologjisë tha se duhej të mbyllte të gjitha sistemet e saj të IT-së për shkak të kërcënimeve të jashtme, pergatiti SOT.