Nga Jakin Marena
Një president po largohet, ndërsa një tjetër po diskutohet që të startojë mandatin 5 vjeçar më 24 korrik të këtij viti. Pikërisht kur Ilir Meta të largohet pa kthim nga Presidenca.
Mazhoranca socialiste dhe vetë kreu i saj Edi Rama e kanë bërë të qartë se në zyrën e kreut të shtetit nuk do të hyjë me votat e saj kurrë më një individ apo politikan që të ketë qoftë dhe një element të përbashkët me parardhësin e tij. Pra do të gjendet një emër jashtë politikës për t’i dhënë Shqipërisë një President normal.
Domethënë i kundërti i Ilir Metës, kreut të shtetit i cili ia ka ulur nivelin përtokë Presidencës, me anësinë e tij politike, më shumë se sa një kryetar partie dhe me shkeljet kushtetuese që sipas mazhorancës duhej të merrnin si ndëshkim shkarkimin e menjëhershëm të tij nga posti, por që sipas Gjykatës Kushtetuese ishin shkelje jo aq të rënda sa të bëhej presidenti i parë që nxirrej me vendim gjykate nga zyra e Presidencës.
Për të mos u zgjatur në këtë pikë, pasi palët politike, përjashtuar Berishën e abandonuar nga Rama dhe mazhoranca por i vetëofruar për negociata, kanë filluar bisedimet për gjetjen e Presidentit të ri, i cili me sa duket do të jetë jashtë politikës, po kthehemi tek argumenti ynë.
Ajo që duam të evidentojmë është fenomeni “Ilir Meta”, i cili largimin nga Presidenca më 24 korrik, rikthimin e tij në krye të LSI një ditë më pas më 25 korrik, nuk e quan dalje spektakolare nga një ‘derë’ për të rihyrë sërish në mënyrë zyrtare në ‘derën’ tjetër, atë të politikës aktive.
Meta është shumë i pakënaqur me këtë dalje aspak dinjitoze dhe me pa nder nga Presidenca, pasi do mbahet mend si Presidenti i parë, e me shpresë të Zotit i fundit që ka bërë thirrje për të kapur sfurqet dhe sopatat kundër qeverisë, ka bërë një tubim, atë të 2 marsit, për të rrëzuar qeverinë dhe ka punuar me mish e shpirt për fushatën e opozitës, herë duke zhdekretuar dhe dekretuar data të reja zgjedhjesh vendore, e herë duke bërë thirrje për revolta. Por që gjithnjë ka qënë sipas tij, nën kërcënimin e “raketave amerikane për ta vrarë në Malin me Gropa”, sikurse paralajmëronte, megjithëse ia kishte shtruar në vilën e tij miliona euroshe në Gjirin e Lalzit për shtatë palë qejfe. Madje mendonte të “kapte amerikanët për veshi”, sikurse kërcënonte sa herë shkëputej nga plazhi.
Pra po “vuante” jo fort larg vilës së Sali Berishës po në Lalz ku dëgjonte sokëllimat e Doktorit kundër amerikanëve që e shpallën “non grata” për korrupsion të lartë, minim të demokracisë e presion mbi drejtësinë, dhe më pas kundër Lulzim Bashës këtij “besëpreri” që me urdhër të amerikanëve e përjashtoi nga grupi parlamentar, duke i bërë “varrin” politik “babait” të tij politik. Por dhe vetes e duke i garantuar po vetes lëvizjen vetëm tashmë si një “elektron” i lirë sa tek vila e re në Hamallaj, sa në periferi të Tiranës tek vila tjetër luksoze, ose në takime me ndonjë demokrat të mbetur pro tij, si dhe në Parlament, ku nuk po e shoqëron askush.
Njëherësh Meta, herë herë në krahun tjetër prish dhe “heshtjen që flet” të kreut dhe ndonjë anëtari të SPAK që i ka “shokë lagjeje” po në Gjirin e Lalzit, mjaft të impenjuar për të luftuar korrupsionin kudo të gjendet, e aq më mirë ndonjë “arkë peshku” për më kollaj. Sidomos kur nuk ka emërtesë “Berisha” apo “Meta”. Këtu nuk prek.
Dhe teksa Meta nuk e quan spektakolare daljen e tij nga Presidenca e hyrjen në politikën aktive në krye të LSI, ka menduar ta shtojë “dozën” e spektaklit, duke futur elementë më të bujshëm.
Këtu bën pjesë dhe hedhja si “padashje” e idesë se do të jetë ai vetë, pra Ilir Meta, kandidati në emër të opozitës PD-LSI për kryetar i bashkisë së Tiranës. E ka konsultën e ka dhe mbështetjen e doktorit të PD, Sali Berisha për këtë ide, i cili nuk harron asnjëherë të shprehet se koalicioni opozitar do të jetë shumë i zgjeruar, ku LSI do të ketë vendin e nderit.
Madje për ta bërë më të besueshëm pa u shprehur zyrtarisht lajmin se Meta do garojë për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Berisha ka menduar dhe është i vendosur për t’i dhënë në dorë drejtimin e koalicionit PD-LSI, pasi të zgjidhet vetë në krye të PD më 22 maj përballë rivalit Ibsen Elezi.
Precedenti në Shqipëri ku kryetari i bashkisë është dhe kryetar partie njëherësh ka ndodhur. Kështu ka qënë Edi Rama, që më pas u bë dhe kryeministër dhe vijon mandatin e tretë, ku me shumë gjasa ka të fituar dhe mandatin e katërt qeverisës. Por dhe Lulzim Basha ishte kryetar bashkie dhe kryetar partie, por që aspirata e tij për t’u bërë kryeministër dështoi duke e prishur rregullin. Basha rezultoi projekt i dështuar, por Meta dhe Berisha nuk e marrin për bazë këtë.
Dhe siç e ka zakon Meta, idenë e tij e hedh në media, dhe këtë e bëri më së miri, teksa një nga gazetat më të vjetra të pavarura shkroi disa ditë më parë se “nga burime pranë opozitës PD-LSI doli lajmi se Ilir Meta do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme vendore për kryebashkiak të Tiranës. Kandidimi në emër të gjithë opozitës, thanë burimet.
Pavarësisht se sot është President deri me 24 korrik të këtij viti, por Ilir Meta nuk e lë fatin e tij politik në mëshirë të fatit. Duke qenë lojtar luftëtar ai kërkon përballjen. Deri në vitin 2025 kur janë zgjedhjet parlametare, nuk i pritet. Në maj të vitit të ardhshëm janë zgjedhjet vendore dhe synimi për të marrë bashkinë e Tiranës, ku janë mbi 1 milionë banorë, do të jetë impenjimi maksimal i tij”.
Pra Meta e hodhi mesazhin në eter, duke i dhënë udhë e hamendësimeve, komenteve e analizave nëse është e mundshme që ai ta fitojë këtë bashki, përballë kandidatit socialistë, me shumë gjasa do të jetë sërish Erion Veliaj kandidat për një mandat të tretë. Të paktën nëse i referohemi deklaratave të vetë Veliajt i cili i përgjigjet Metës si kandidat i sigurtë në emër të PS për garën e pranverës së ardhshme për të qënë qytetar i parë i kryeqytetit. Ndonëse në fund të herës është kryeministrihe kreu i PS Edi Rama ai që vendos se kush do të kandidojë për bashkinë e Tiranës, bazuar në performancën e dy mandateve të Veliajt dhe sidomos profilit të kandidatit zyrtar kundërshtar që do të ketë përballë në pranverën e ardhshme.
“Nuk besoj se ia mban, por nëse ia mban, do të ishte një betejë shumë e mirëpritur. E mirëpres”, komentoi Veliaj lajmin e kandidimit të Metës për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Duke u kujdesur të nënvizojë se kryeqyteti nuk ka kohë për të humbur me Ilir Metën. Pra nga ana e tij kryebashkiaku aktual përgjigjet si kandidat i ardhshëm i PS, i sigurtë se do të jetë ai në garë dhe që pret rivalin opozitar që të shfaqet në horizont.
Këtë kërkon dhe Ilir Meta, i cili me sa duket pas testit të hedhur para disa ditësh për kandidaturën e tij për të kryesuar bashkinë e Tiranës, është i bindur se mund të hapë një garë spektakolare në Tiranë, si pararendëse e asaj që ka paralajmëruar bashkë me Berishën, se do të ndodhë më 2025. Madje duke pretenduar se i ka mundësitë për të fituar, bashkë me Berishën. Nuk lë pa përmendur asnjëherë mandatin e kreut të bashkisë që i dhanë në tavolinë Bashës duke ia marrë fitoren me dhunë Edi Ramës, dhe me votat e komunistëve të Hysni Milloshit, por dhe me një “dorë” të fortë ndihme nga Arben Ristani, kreu i KQZ-së së atëhershme.
Dikush mund të thotë se e djathta ishte në pushtet asokohe dhe kishte të gjitha levat në dorë për të bërë ndere dhe presion, për të ndryshuar vendbanime dhe shtuar votues të djathtë. Meta sërish ka gjetur justifikim nëpër ambiente të ngushta miqsh, duke thënë se “doktorin e ka sërish me vete. Madje ka dhe Arben Ristanin në anën e tij. Basha nuk ishte kontributor por konsumator pushteti dhe një votë e tij personale as ngre as ul, pasi dhe Aurela, gruaja e tij nuk ka të drejtë të votojë në Shqipëri”. E ka bërë mendjen top që të kandidojë me sa duket.
Këtu vjen në ndihmë dhe bashkëshortja e tij, njëherësh kryetare e deleguar e LSI, që dorëzon detyrën më 25 korrik në dorë të bashkëshortit Ilir Meta, drejtuesit real të kësaj partie. Kryemadhi nuk ngurron të deklarojë se ka qënë ajo dhe Meta ata që kanë futur në brazdën e politikës dhe të fitores dhe në bashkinë më të madhe në vend Edi Ramën e Lulzim Bashën.
“Unë në shumicën e karrierës time kam qenë pastruesja dhe kam hapur rrugën për shumë njerëz të tjerë për të ecur përpara, në kuptimin e mirë të fjalës. Ia kam hapur rrugën edhe Edi Ramës edhe Lulzim Bashës për kryetar bashkie të Tiranës në 2011. Se donin të tjerë nga PD në atë kohë të kandidonin dhe thamë atëherë po vejmë Monika Kryemadhin përballë Lulzim Bashës që të kandidojë. Dhe ka insistuar edhe Ilir Meta, edhe LSI-ja, që të kandidonte patjetër Basha. Se pa LSI-në nuk dilte Lulzim Basha kryetar bashkie. Edhe kur është bërë Edi Rama kryebashkiak, në vitin 2000, Ilir Meta e ka propozuar sepse Fatos Nano nuk e pranonte. Dëmi që Lulzim Basha dhe grupi i shtojzovalleve të veta që ndriçojnë vetëm një pjesë të errët të pyllit ku jeton ai, e dëmtuan LSI-në. Por kush i ka rënë në qafë LSI nuk e ka të gjatë shumë”, deklaroi Kryemadhi, disa ditë më parë në një emision televiziv.
Konteksti është i qartë: Deri më tani, bashkë me bashkëshortin Ilir Meta kanë bërë kryetar bashkie Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, ndërsa tani ka ardhur koha që të mendojnë për vete. Dhe emri për kandidatin e ri të opozitës për bashkinë e Tiranës, sipas Kryemadhit është e udhës që këtë radhë të jetë Ilir Meta, njeriu që ndihmoi dy të parët për të qënë në krye të bashkisë dhe më pas në krye të partisë.
Askush të mos habitet kur Ilir Meta të përcaktohet nga koalicioni PD-LSI si kandidat i opozitës për bashkinë e Tiranës. Bashkë me Berishën i kanë bërë përllogaritjet e qarta. Pavarësisht se aleati i tij ish kryeministër është shpallur “non grata” nga SHBA dhe nuk bashkëpunon askush me të nga partnerët ndërkombëtarë, pavarësisht se dhe vetë Ilir Meta është kandidat për t’u shpallur “non grata” sapo të përfundojë mandati, kjo dyshe justifikimin e ka gati: Arritja e një rezultati pozitiv në zgjedhjet e pjesëshme vendore për 6 bashkitë e mbetura pa kryetar më 6 mars ua ka mbushur mendjen se shqiptarët e djathtë dhe ata që janë kundër qeverisë nuk pyesin shumë nëse të do Amerika e Europa apo jo. Bëjnë llogari në favor të tyre edhe konsumimin e mazhorancës që ka qeverisur Tiranën për dy mandate radhazi, apo pakënaqësitë që mund të kenë lindur, normal për një vend demokratik ku kërkohet më e mira nga qeveritarët e saj. Por dhe ndonjë lek më tepër do të hidhet, pasi për “fatin” e mirë të tyre Berisha dhe Meta i kanë pa fund, madje të fituara pa asnjë mund e djersë nga paratë e shtetit e mund të “dorovisin” këdo, hallexhi ose qejfli.
Shpresa vdes e fundit dhe këtë kanë vendosur ta shfrytëzojnë Berisha dhe Meta, taksa vënë përballë rivalit socialist pikërisht presidentin aktual, nivelin më të lartë të opozitës në këtë vend. Do tentojnë ta paraqesin dhe si interesim të lartë për zgjedhjet vendore. Rikthimi si alternativë kërkon një akt të madh politik, dhe pikërisht garën për bashkinë e Tiranës kanë menduar Berisha dhe Meta ta prezantojnë për shqiptarët si një akt të madh. Por dhe si një sfidë ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE.
Ndonëse e dinë vështirësinë deri në pamundësi të fitores në bashkinë e Tiranës, në fund të herës rezultatin qoftë dhe humbës mund ta përdorin si garë mes vetes, duke tentuar të marrin vota më shumë se sa në përballjen e fundit, atë të vitit 2015. Sepse më 2019 opozita bojkotoi zgjedhjet.
Njeriu në hall përdor të gjitha mjetet për të zbutur hallin të paktën. Berisha e Meta kanë vendosur të luajnë fort për hallin e tyre. Gara për bashkinë e Tiranës bën pjesë në këtë lojë të fortë.
Të shohim. Nëse “non grata” kap dhe Metën, komplikohen gjërat, por duket se është i vendosur për të garuar. Eshtë një “kalkulim” politik që nuk i nxjerr pa gjë, edhe në humbje!