Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në seancën e sotme i është përgjigjur deputetit akuzave dhe pretendimeve të deputetit Lefter Gështenja.
Për pretendimet e mospagimit të orëve suplementare, transportit dhe pagesës për sigurimet shoqërore për mësuesit e Librazhdit, ministrja Kushi tha se në këtë zonë nuk ka asnjë pagesë apo detyrim të prapambetur për mësuesit e bashkisë së Librazhdit.
Ndërsa për Prrenjasin ajo tha se tashmë është zgjidhur çështja e orëve suplementare të 3 muajve të fundit. Ajo ftoi deputetin Gështenja të bënte verifikimet e nevojshme për këtë.
Ndërsa për rritjen e pagave, ministrja Kushi rikujtoi se pagat e mësuesve u rritën me 32% pavarësisht pengesave që solli tërmeti apo pandemia.
“Ndërkohë jemi angazhuar që në këtë mandat pagat të rriten me 40%. E kemi nisur këtë hap dhe që nga korriku mësuesit do të marrin pagat 6% më shumë. Mësuesit meritojnë shumë më tepër por ne do t’i përmbahemi premtimit- u shpreh ministrja.
Më tej Znj. Kushi përgënjeshtroi pretendimet e deputetit Gështenja për emërimet sipas përkatësisë partiake.
“Sot të gjithë mësuesit emërohen sipas portalit ‘Mësues për Shqipërinë’. Nëse ju keni ndonjë rast që një mësues është emëruar pa qenë pjesë e portalit, ju lutem denoncojeni dhe ma sillni këtë informacion. Ju nuk mund të hidhni akuza që sot mësuesit punësohen sipas bindjeve partiake! Hajdeni me fakte. Hajdeni me emra që të marrim masa,” – u shpreh ministrja.
/a.r