Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe dërguar për gjykim dosjen penale në ngarkim të 17-vjeçarit, Florian Përvathi i cili në muajin janar të këtij viti vrau për gjakmarrje bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj.
Ndaj adoleshentit janë ngritur akuzat “Vrasje për gjakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje mbajtja pa leje e armeve dhe municioneve luftarak”. Organi i akuzës ka arritur të provojë se i riu e ka kryer krimin me paramendim për gjakmarrje, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë babanë, në vitin 2009, kur ishte vetëm 4-vjeç, ndërsa armën pistoletë e kishte siguruar në Shkodër rreth 1 vit para ngjarjes.
Dosja penale është hedhur në short dhe brenda pak ditësh do të zhvillohet seanca paraprake gjyqësore në Gjykatën e Lezhës, ndërsa 17-vjeçari vijon të jetë me masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe po qëndron në institucionin e vuajtjes së dënimit për të mitur në Kavajë dhe në vazhdimësi trajtohet me psikolog.
Florian Përvathi ekzekutoi me armë zjarri bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj, mesditën e 24-janarit të këtij viti në fshatin Manati të Lezhës, sapo viktima kishte hyre me makinë në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij. Menjëherë pas krimit u vetëdorëzua në polici duke treguar dhe motivet e ngjarjes.
/a.r