Tregjet financiare ndërkombëtare kanë vazhduar edhe këtë të premte garën, të nxitur nga rritja e çmimit të naftës dhe shpresat për më shumë masa stimuluese nga bankat qendrore.
Treguesi i bursës FTSE 100 në Londër u mbyll me një rritje më të madhe se 2 për qind. Ndërkohë, në bursa të tjera të Evropës, si Dax i Gjermanisë, treguesi i aksioneve u mbyll 2 për qind më lartë, ndërsa në Francë, treguesi i CAC 40 u rrit me 3.1 për qind.
Në Shtetet e Bashkuara, aksionet në Wall Street shënuan një ritëm të fortë në fillim të ditës, me treguesin e Dow Jones që u ngjit me 1.1 për qind, por që më vonë pësoi një rënie të lehtë në 0.7 për qind më shumë se një ditë më parë.
Rritja vjen pas një “rënieje të lirë” të ditëve të mëparshme, për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe parashikimeve pesimiste për ekonominë kineze, që kishin trembur investitorët.
Rëniet drastike të së mërkurës bënë që vlerat e aksioneve të hynin në të ashtuquajturin “territori i spekulimit”, ku bëjnë pjesë rëniet me 20 për qind nga vlera mesatare.
Aksionet filluan rritjen ditën e enjte, pasi presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi njoftoi se do të merrte më shumë masa për të nxitur ekonominë e eurozonës.
Draghi tha se mund të rishikojë dhe madje të rishqyrtojë politikën monetare në takimin e ardhshëm të saj, në muajin mars.
BQE ka shkurtuar tashmë normën bazë të interesit në 0.05 për qind dhe aktualisht po shpenzon 60 miliardë euro në muaj për blerje bondesh, në kuadër të programit të saj stimulues.
TCH