4 punonjës të Komisariatit të Policisë së Korçës janë vënë nën hetim nga policia për shpërdorim detyre, pas arratisjes nga ambientet e gjykatës të 21-vjeçarit, Kristian Medolli. Ky i fundit, iu iku nga duart policëve teksa po e transportonin në ambientet e paraburgimit, pas vendimit të gjykatës, pasi ishte shoqëruar për vjedhjen e një banese. Ai ishte me duar të prangosura dhe zbathur, qëndroi për arrati rreth 2 orë dhe u kap pranë kodrave të qytetit të Korçës.
Konkretisht AMP, ka vwnw nwn hetim; Inspektor G. S., me detyrë Përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë; Inspektor F. S., me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Korçë; Inspektor E. S., me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme; Komisar M. J., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë.
Referimi u krye pasi më datë 08.05.2022, ndërsa punonjësit e policisë shoqëronin shtetasin Kristian Medolli në ambjentet e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë (person i arrestuar) për vlerësimin e masës së sigurisë, gjatë kohës që ky shtetas ka qenë duke hipur në mjetin e policisë, brenda ambjenteve të garazhdit të Gjykatës, u është larguar dy punonjësve të policisë dhe është kapur pak më pas nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.
Po ashtu, rezulton se Inspektor E. S., në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të shtetasit K. M.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, dyshohet se punonjësi i policisë Komisar M. J., në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin, nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e shtetasit K. M./m.j