Jezusi u martua me Maria Magdalenën dhe patën fëmijë. Kështu shkruhet në një dorëshkrim pothuajse 1500-vjeçar të zbuluar së fundmi në Bibliotekën Britanike. Dorëshkrimi i njohur si “Ungjilli i humbur”, i cili është përkthyer nga aramaishtja, zbulon hipoteza që janë hedhur edhe më parë në lidhje me Krishtin. Teksti është përkthyer nga profesori Barrie Ëilson dhe shkrimtari Simcha Jacobovic, të cilët thonë se aty shkruhet që Jezusi ka pasur dy fëmijë dhe ajo që ne njohim si Maria nga Bibla, në të vërtetë ishte gruaja dhe jo nëna e tij, transmeton Shekulli shkrimin. Shumë ekspertë e kanë neglizhuar rolin historik të figurës biblike, por dy përkthyesit thonë se ajo ka më shumë rëndësi se sa është menduar deri tani. Maria Magdalena, e cila në Bibël njihet si prostituta që u bë ndjekëse e Krishtit, sipas përkthyesve shfaqet në shumë momente kyçe të jetës së tij. “Ungjilli i humbur” nuk është teksti i parë që pretendon se Jezusi ka qenë i martuar me Maria Magdalenën. Nikos Kazanzaqis në vitin 1953 shkroi librin “Tundimi i fundit i Krishtit”, ndërsa pak vite më parë shkrimtari Dan Brown bëri të njëjtat hamendësime në librin “Kodi i Da vinçit”.
Detaje të reja të këtij teksti të përkthyer së fundmi, përfshirë emrat e fëmijëve të Krishtit, pritet të bëhen të ditura në ditët e ardhshme. Gjithçka do të njoftohet gjatë një konference shtypi që shtëpia botuese “Pegasus” do të mbajë së shpejti, raporton amerikania “Sunday Times”.