Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se lufta ruse në Ukrainë do të përshkallëzohet gjatë ditëve në vijim, ndërsa në terren janë intensifikuar sulmet me bomba dhe raketa.
Zyrtarët perëndimorë kanë deklaruar se presidenti rus mund të shfrytëzojë 9 Majin për të shpallur zyrtarisht luftë dhe mobilizim të plotë të popullsisë për të rritur numrin e trupave në ofensivë.
Ndërkohë në Sheshin e Kuq të Moskës vijojnë përgatitjet për paradën që do të përkujtojë 77 vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore. Në Ukrainë dhe Perëndim presin që Putin të shënojë përparim në rajonet lindore, përpara 9 Majit, si tentim për ta prezantuar atë më pas si fitore vendimtare.
Pas tentimeve të dështuara për të marrë kontrollin e Kievit dhe qyteteve tjera të mëdha në veri të Ukrainës – në fazën e parë të luftës – Kremlini ka zhvendosur fokusin në rajonin lindor të Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar me forcat qeveritare ukrainase prej vitit 2014.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski ka deklaruar se cdo marrëveshje paqeje me Rusinë do të varet nga tërheqja e forcave ruse në pozicionet e tyre para pushtimit.
/a.r