Raportuesja për Kosovën dhe deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon ka bërë me dije se ka marrë kërcënime, nga një oligark rus pranë Putinit.
Me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, Von Cramon tha se ka marrë një letër kërcënuese nga oligarku rus dhe financuesi i grupit të mercenarëve “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, si rezultat i një fjalimi që kishte mbajtur në Parlamentin Evropian më 25 nëntor 2021.
“Rusia është qesharake! Grupi i mercenarëve “Wagner” që sponzorizohen nga shteti rus, të drejtuar nga oligarku i Putinit, Prigozhin nuk është i lumtur me fjalimin tim, duke më dërguar një letër kërcënuese duke më paditur për 10.000.000 rubla. Kjo më shkaktoi të qeshura. E lumtur të jem nën shoqërinë e Andrius Kubilius”, ka shkruar Cramon duke bashkëngjitur letrën që kishte marrë.
Von Cramon në fjalimin e saj në vitin 2021 ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksionet më të rrepta për grupin “Wagner”, për të treguar se vrasja nuk është biznes por është krim kundër njerëzimit.
“Vdekja është biznesi ynë dhe biznesi po shkon mirë”, Rusia dhe Grupi Wagner i Rusisë dhe mercenarë të tjera guxojnë të veprojnë nën këtë moto sepse ne i lejojmë ta bëjnë këtë. BE-ja duhet të vendos sanksionet më të rrepta për të treguar se vrasja nuk është biznes, është krim kundër njerëzimit”, kishte thënë Cramon.