Vladimir Putini nuk e mori dot fitoren strategjike që në ditët e para të luftës në Ukrainë dhe tashmë me afrimin e 9 Majit, Ditën e Fitores Kundër Nazizmit, i duhet një fitore taktike atje. Pas tërheqjes nga veriu dhe veri-lindja e Ukrainës dhe me probleme të theksuara logjistike si edhe ushtrinë ukrainase përballë, i vetmi front ku Putini mund ta marrë fitoren e tij është ai i Mariupolit.
Mediat e huaja raportojnë se Putini ka urdhëruar marrjen me çdo kusht të xhepit të vetëm të mbetur në Mariupol, pikërisht ai i Azovstal, fabrikës së çelikut të ish-Bashkimit Sovjetik, i fortifikuar me dhjetra kilometra tunele nëntokësore dhe që konsiderohen një terren vetëvrasës për çdo ushtri që synon të futet aty.
Por, Putinit i duhet fitorja dhe i quhet tani!
Për këtë ai ka urdhëruar një ofensivë në këtë fabrikë çeliku kundër batalionit Azov, të cilin Putini dhe Rusia e quan nazist. Rusia ka nisur tashmë një rekrutim me detyrim të të gjithë meshkujve nga 18 deri në 55 vjeç në të ashtuquajturat Republikat e Luhanskut dhe Donjeckut në Ukrainën Lindore. Këta janë ata që do të shkojnë të përballen me ushtrinë ukrainase në Azovstal.
Të armatosur keq dhe pa asnjë njohuri ushtarake duket se Rusia po i dërgonë ata si “mish për top” përballë batalionit “Azov” që ka vite që Lufton në lindje të vendit.
Parashikohet që beteja për fabrikën Azovstal të jetë më e përgjakshmja në luftën e Ukrainës.
g.kosovari