Presidenti federal gjerman Frank-Walter Steinmeier foli sot në telefon me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të “diskutuar dhe tejkaluar çështjen me vizitën e anuluar” të presidentit gjerman në Kiev.
Gjatë bisedës 45-minutëshe, Steinmeier e siguroi Zelenskyn për mbështetjen e plotë të Gjermanisë. Fakti që dy presidentët folën drejtpërdrejt shihet si një shenjë e përpjekjeve të ndërsjella për të kapërcyer tensionet e fundit dhe për t’u kthyer në një atmosferë disi normale.
“Pata një bisedë të mirë, konstruktive dhe të rëndësishme me presidentin federal të Gjermanisë, Steinmeier. Faleminderit për mbështetjen e fortë për Ukrainën. Pritet që të intensifikohet. Udhëheqja gjermane është e rëndësishme për të kundërshtuar agresionin rus. Të informuar për situatën në vijën e frontit, situatën kritike në Mariupol.-shkroi Zelensky në Twitter.
Steinmeier ishte përshkruar si i padëshiruar nga Kievi në prill për qëndrimin e tij të mëparshëm ndaj Rusisë, i cili tensionoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe pengoi kancelarin Olaf Scholz nga një vizitë e mundshme në Ukrainë. Me këtë rast, ambasadori i Ukrainës në Berlin, Andriy Melnik pak ditë më parë e cilësoi kancelarin si “sallam të ofenduar”, pasi siç tha ai, “ai shtiret si i ofenduar, në një sjellje që nuk i shkon për shtat një lideri politik”.
Një zëdhënës i presidencës tha se Zelensky kishte ftuar Steinmeier dhe të gjithë udhëheqjen politike gjermane në Kiev. Megjithatë, është e paqartë nëse dhe kur Olaf Scholz do t’i përgjigjet kësaj ftese. Disa informacione lidhin vizitën e presidentit francez Emanuel Macron në Berlin të hënën me një vizitë të mundshme të përbashkët në Ukrainë.
g.kosovari