Babai i Ilvi Metës, 31 vjeçarit që humbi jetën në komisariatin e Kavajës, ka folur sot për mediat. Agim Meta këmbëngul se djali i tij nuk është vetëvrarë, por u mbeti në dorë policëve.
Ai shprehet se lajmin tragjik e ka mësuar nga televizionet informative, dhe policia nuk e ka lejuar të kontaktojë as me djalin dhe as me punonjësit e policisë.
Babai i viktimës thotë se mbi të birin është ushtruar dhunë, pasi nga kqyrja që ata i kanë bërë trupit të pajetë, në fyt nuk ka pasur shenja të lidhëses me të cilën pretendon policia se i riu është vetëvrarë.
Në lidhje me ngjarjen Agjensia e Mbikqyrjes Policore vuri në pranga 3 punonjës të paraburgimit në komisariatin e Kavajës.
“Lajmin e mësova nga mediat, shumë i hidhur, isha në punë, dhe vetëm pasdite e pashë te lajmet. Kur kam shkuar te policia nuk më pranuan fare, janë pretekste sikur ka vrarë veten. Kërkova që të shoh fëmijën dhe nuk më lejuan, unë dyshoj se është ushtruar dhunë në polici, është hera e parë që shoqërohej në polici.
Autopsia iu bë, por nuk e dimë ende se çfarë ka dalë. Djali ishte beqar, nuk është e vërtetë që ka qenë problematik. Nuk ka shtet, nuk ka polici, derisa ata nuk më fusin mua që të shoh djalin tim, për çfarë e dua policinë. Unë dyshoj se djalin e kanë vrarë, iu ka mbetur në dorë.
Nuk e kam parë me sy djalin, është ushtruar dhunë ndaj tij. Nuk ka qenë i dënuar, e kanë shoqëruar vetëm njëherë pas një ndeshje futbolli. Djali nuk ka asnjë shenjë në fyt, po them që i ka mbetur në dorë policisë. Në fillim thanë se ishte vetëvarur me litar, dhe më pas me lidhësen e kapuçit”, u shpreh babai i Ivi Metës.
/a.r