Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me konsultimet për Presidentin e ri. Me anë të një postimi në Facebook, deputeti demokrat thotë se nuk e kupton logjiken nëse duhet të konsultohen me Ramën, ndërkohë që nuk ulen me njëri-tjetrin demokratët për të zgjidhur situatën brenda PD-së.
Sipas tij, Rama e ka futur në zarf emrin, ndërsa PD prej tre muajsh nuk diskuton dhe as dërgon emrat në Parlament duke mbajtur bllokuar ngritjen e komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale.
“Se kuptoj dot këtë logjikën; diskutohet a duhet të ulemi me Ramën ndërkohë që nuk ulemi me njëri tjetrin prej kohësh!
Diskutojmë për presidentin që Rama e ka fut në zarf dhe shprehet se i ka votat ndërkohë që ka tre muaj që për fat të keq Partia Demokratike nuk diskuton dhe as dërgon emrat në Parlament duke mbajtur bllokuar ngritjen e komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale, dy prioritete te opozitës që prej tre muajsh janë miratuar në Kuvend por po bllokohen nga “neglizhenca”
A mendoni dhe ju se bashkimi i demokratëve, reforma zgjedhore dhe territoriale janë prioritete absolute për Partinë Demokratike?”, shkruan Salianji.