Përcaktohet trupi gjykues që do të shqyrtojë çështjen e konfiskimit të pasurive të vëllait të deputetit të PD Gazmend Mahmutaj në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, çështja nr. 82 regjistri themeltar, datë 27.04.2022 regjistrimi, me objekt “konfiskimin e pasurive” ndaj subjektit Gazmend Mahmutaj do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga, kryesuese gjyqtarja Nertina Kosova dhe anëtarë gjyqtarët Daniela Shirka dhe Dhimitër Lara, në seancën gjyqësore të planifikuar më 18 Maj 2022, ora 12:00.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka sekuestruar 22 pasuri të deputetit të PD-së Kasëm Mahmutaj dhe dy vëllezërve të tij, familjarëve dhe personave të bashkëlidhur pasi nuk kishin ardhur nga burime të ligjshme financiare.
Mahmutaj bëhet kështu deputeti i parë në Shqipëri që i konfiskohet pasuria me kërkesë të SPAK për shkak se vëllai i tij Gazmend Mahmutaj ishte subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se GJKKO vendosi të konfiskojë pasurinë e deputetit të PD, familjarëve dhe personave të bashkëlidhur, pasi nga hetimi rezulton se kjo pasuri rrjedh nga aktivitete kriminale, jo nga të ardhura të ligjshme./m.j
Vëllai i deputetit Gazment Mahmutaj, me emrin e ndryshuar në Eduart Toska rezulton i dënuar në 1993 nga gjykata e Veronas për shfrytëzim prostitucioni. Për këtë arsye ai i është nënshtruar hetimit pasuror nga OFL dhe SPAK.
Sipas vendimit të GJKKO të gjitha pasuritë e konfiskuara kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar, por subjekti ka të drejtë apelimi. Avokatët kishin deklaruar se këtë çështje do ta çonin në Apel./m.j