Socialistët dhe demokratët vendosën sot shtyrjen e afatit për nisjen e raundit të parë të zgjedhjes së presidentit.
PS pranoi kërkesën e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj që data 10 të jetë data e nisjes së procesit duke vendosur kështu automatikisht shtyrjen e mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve.
Por teksa Balla po parashtronte pranimin e kërkesës, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ndërhyri duke kërkuar që të mos e lënë afatin më 17 Maj. “Vetëm me 17 Maj se kemi kujtime të hidhura”, tha Spiropali.
Më 17 Maj të vitit 2017, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike në atë kohë Lulzim Basha patën një takim kokë më kokë, ku PD u dakordësua të futej në zgjedhjet parlamentare duke marrë në këmbim një pjesë të qeverisë për tre muaj.
Diskutimet në mbledhje
Në vijim të fjalës së tij Balla pranoi kërkesën e Alibeajt ndërsa data 16 Maj u caktua si data e raundit të parë të zhvillimit të procesit për zgjedhjen e presidentit.
“Këtë pjesë e diskutojmë më mbrapa. Afatet do jenë jo më vonë se 7 ditë. Bie dakord me propozimin e zotit Alibeaj që fillimi i procesit të konsiderohet data 10.
Thirrim afatin datën 16, si i bie 16 është e shtunë? Jo e martë. Data 16 të jetë raundi i parë i zhvillimit. Besoj se me këtë propozim i kemi përmbushur pritshmëritë e disponibilitetit”, deklaroi Balla./m.j