Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar pas bojkotit të mësimit nga ana e fëmijëve në Rinas për shkak të devijimit të rrugës.
Kushi u kërkon prindërve të çojnë fëmijët në shkollë. Ajo thekson se çdo orë mësimi është e vlefshme.
“Jam njoftuar sot nga strukturat tona arsimore në shkollën 9-vjeçare “Rexhë Deliu” në Rinas që pjesa më e madhe e prindërve nuk i kanë sjellë sot fëmijët e tyre në mësim.
Të dashur prindër, duke vlerësuar të drejtën për të protestuar të çdo qytetari në një shoqëri demokratike, ju lutem që të mos i privoni fëmijët nga e drejta e tyre themelore për arsimim. Çdo orë mësimi ka vlerë për fëmijët tanë, prandaj duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj kam besim që nesër mësimi do të vijojë normalisht edhe në këtë shkollë”, shkruan Evis Kushi.
Kujtojmë se fëmijët e shkollës së Rinasit bojkotuan mësimin këtë të mërkurë dhe u janë bashkuar protestës së prindërve të tyre kundër vendimit të Autoritetit Rrugor për të devijuar rrugën e Rinasit me një sens kalimi.
/a.r