Banorët e zonës së Rinasit kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave nëse ARRSH nuk anulon vendimin për devijimin e rrugës drejt aeroportit.
“Kërkesa jonë është që ata fëmijë t’i çojmë në shkollë. Rrugë tjetër nuk ka. Kapeni me kamera, nëse ju kap syri një rrugë alternative ne tërhiqemi dhe ju kërkojmë ndjesë të gjithëve. Të ma gjejë mua këtë rrugë dhe të na lidhë me rrugën e xhamisë, dakord jemi. Por nga të shkoj unë nga këtu, deri te xhamia? Ne kërkojmë të çojmë fëmijët në shkollë, të vazhdojë jeta normale e këtyre banorëve. Protesta ka shanse të përshkallëzohet nëse nuk ka zgjidhej. Do mbledhim edhe komunitetet të tjera që penalizohen. Do nxjerrim dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Bëj thirrje, një minutë e më parë, ashtu sicc dha urdhrin për t’u bllokuar, nuk e ka të vështirë për ta dhënë urdhrin për ta zhbllokuar”.
“Nuk kërkojmë të hapim kuti votimi, kërkojmë të hapim rrugën. Kur kemi shkuar për të hapur kuti votimi na kanë lënë të kalojmë edhe me të kuqe”, shtoi më tej protestuesi.
Banorët protestuan sot për të ditën tretë rresht. Ata kundërshtojnë vendimin e ARRSH që ka vendosur për një afat të pacaktuar që lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një kalim, me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Mjetet që vijnë nga veriu drejt Rinasit do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Banorët e këtyre fshatrave paralajmërojnë se do të vijojnë me protestat deri në anulimin e këtij vendimi.
/a.r