Deputetja demokrate, Andia Ulliri, i ka dërguar një kërkesë zyrtare drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi në lidhje me situatën e shkaktuar pas vendimit për të devijuar rrugën e Rinasit.
Në letër thuhet se vendimmarrja ka qenë e papritur, e pakonsultuar dhe e panjoftuar në kohë duke i lënë banorët e zonës dhe jo vetëm, në befasi.
Deputetja demokrate kërkon nga Berberi informacione të plota shkresore për konsultimet, vendimet dhe masat apo veprimtaritë që planifikohen të kryehen në këtë aks rrugor përgjatë kohëzgjatjes së vendimit.
Shkresa:
Këto ditë banorët e zonës së Rinasit janë njohur me një vendim të institucionit tuaj, nëpërmjet të cilit është vendosur që lëvizja drejt aeroportit të realizohet vetëm me një kalim Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Aeroportit “Nënë Tereza”-Ahmetaq. Ky vendim ka sjellë reagime dhe protesta tek banorët e zonës, por jo vetëm edhe për qytetarët e Tiranës që udhëtojnë drejt aeroportit apo banorët që vijnë nga veriu i vendit do të përballen me kohë dhe kosto shtesë për të aksesuar aeroportin. Vendimmarrja juaj, përveçse e papritur, ka qenë e pakonsultuar dhe e panjoftuar në kohë, duke i zënë qytetarët e zonës, por edhe të tjerë që përdorin këtë aks në befasi.
Megjithatë, në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të nenit 8 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Për Statusin e Deputetit”, i ndryshuar, kërkoj të na vini në dispozicion një informacion të plotë dhe të detajuar, për sa më poshtë:
Ju lutem, na vini në dispozicion vendimin për lejimin e lëvizjes vetëm në një drejtim në aksin Qafë Kashari – Rrethrrotullimi i Aeroportit “Nënë Tereza” – Ahmetaq, dhe relacionin bashkëlidhur tij.
Cilat janë arsyet e marrjes së këtij vendimi?
Cilat janë studimet, vlerësimet apo verifikimet e kryera nga institucioni juaj përpara marrjes së këtij vendimi? Ju lutem, na vini në dispozicion gjithë aktet lidhur me procese të tilla nëse ka pasur dhe cilët janë personat që i kanë kryer ato.
Sipas vlerësimit tuaj, sa do të jetë koha dhe kostot shtesë që do t’u duhet të përballojë një banor i zonës së Rinasit; qytetarët nga Tirana; dhe qytetarët nga zonat e veriut si pasojë e vendimmarrjes tuaj?
Si do të realizohet lëvizja për banorët e zonës së Rinasit? A janë menduar nga ana juaj apo institucionit që ju drejtoni zgjidhje alternative për banorët e zonës në mënyrë që të mos u duhet kohë dhe kosto shtesë për realizimin e lëvizjeve të tyre?
A është konsultuar ky vendim me banorët e zonës apo me palë të treta? A është konsultuar ky vendim me njësinë administrative, Bashkinë Krujë dhe Policinë e Shtetit?
Nëse po, kush janë personat apo institucionet e konsultuara? Cilat kanë qenë rezultatet e këtij konsultimi? Ju lutem, na vini në dispozicion të gjitha aktet shkresore që provojnë kryerjen e këtyre konsultimeve.
Në kushtet kur banorët e zonës kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, a është duke menduar institucioni juaj për ta rishikuar vendimin në mënyrë që t’u vijë në ndihmë këtyre qytetarëve?
Ju lutem, na vini në dispozicion një informacion të plotë, shoqëruar edhe me aktet shkresore, lidhur me masat apo veprimtaritë që planifikoni të kryeni me këtë aks rrugor përgjatë kohëzgjatjes së vendimit.
/a.r