Një oficer i SHISH-it u prangos dje, sepse akuzohet se informonte një vrasës të dyshuar për lëvizjet e shënjestrës së tij. Florian Bushi u prangos me urdhër gjykate, sepse akuzohet që u jepte të dhëna personave që vranë Denis Kasën në Fier dhe lehtësoi autorët në këtë krim. Detajet rreth hetimeve për vrasjet e bujshme në Durrës, Fier dhe Vlorë apo lidhjet me trafikun e drogës në Spanjë, Itali dhe Holandë u publikuan dje në Durrës nga drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Blerim Tominaj, dhe drejtori i përgjithshëm për Krimin e Organizuar në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa. Burimet policore i thanë gazetës “Shqip” se agjenti i SHISH, Florian Bushi, i kishte dërguar Ilir Memushajt disa foto me përgjimet e një shtetasi tjetër. Këto përgjime janë gjetur në celularin e Memushajt, pasi ai u arrestua si i akuzuari kryesor për vrasjen e Kasës në Fier dhe plagosjen e dy të tjerëve. Inspektori i SHISH akuzohet se kishte favorizuar atentatorët e 9 janarit. Nga ana tjetër, krerët e policisë dhe prokurorisë pohuan se është marrë në mbrojtje objektivi i atentatit që do të kryhej në Shijak nga tre vrasësit me pagesë, të arrestuar së fundmi në Durrës, si dhe shtuan se vrasja e Gazmend Çollakut në Durrës ka lidhje me vrasjen e dy të rinjve në dhjetor të vitit 2015, ngjarje e ndodhur në qytetin bregdetar.
Inspektori i SHISH
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë vënë në pranga një punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror si bashkëpunëtor i autorëve të vrasjes së pak ditëve më parë në Fier, teksa po hetojnë për të zbuluar nëse ka lidhje mes ngjarjeve kriminale të kryera nga persona të veshur si policë. Florian Bushi, inspektor në Shërbimin Informativ Shtetëror, dyshohet se u ka dhënë informacione të rëndësishme autorëve të krimit të rëndë ku mbeti i vrarë Denis Kasa dhe u plagosën 2 të tjerë, duke lehtësuar autorët në kryerjen e krimit. Identifikimi dhe kapja e tij u deklarua nga Prokurori i Krimeve të Rënda Blerim Tominaj dhe drejtori i përgjithshëm për Krimin e Organizuar në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa, të cilët qenë në Durrës për të analizuar ngjarjet e rënda kriminale të muajit të fundit. “Florian Bushi është arrestuar me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, – tha Tominaj. Nga burimet policore mësohet se në celularin e Ilir Memushajt, nga Vlora, u gjetën disa foto të dërguara nga celulari i inspektorit të SHISH, të cilat përbëheshin nga disa përgjigje për një shtetas tjetër. Këtu ka nisur hetimi për Bushin dhe më tej është konkluduar se ai informonte atentatorët për lëvizjet e objektivit. Më 9 janar 2016, në autostradën Fier-Lushnjë, u qëllua me breshëri në drejtim të makinës tip “Benz” me targa shqiptare AA 414 LC që drejtohej nga Denis Kasa. Për pasojë, ky i fundit ka mbetur i vdekur, ndërsa janë plagosur 31-vjeçari Klement Kastrati (kunati i Kasës, që mendohet se ishte objektivi) dhe Elton Margariti, nga Fieri. Ngjarja mendohet se ka si shkak prishjet e pazareve të drogës. Ndërkaq, inspektori i SHISH, Florian Bushi, është vëllai i avokatit Eno Bushi. Disa kohë më parë, edhe ish-kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar bashkëshorten e Bushit se është njeriu që ka ndihmuar Giorgio Riformaton, pilotin italian që mbeti në plazhin e Divjakës pasi do të transportonte lëndë narkotike në drejtim të Italisë. Bushi ka kallëzuar në Prokurori, ish-kryeministrin për shpifje duke kërkuar një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh për dëmin moral.
Vrasjet e tjera
Tominaj dhe Çipa, të pyetur nga gazetarët, në fund të takimit thanë se është ende herët për të konkretizuar pistën në lidhje me arrestimin e tre personave që u deklaruan si vrasës me pagesë, e aq më tepër për të bashkëpunuar me homologët jashtë vendit në lidhje me këtë rast. Ndërkohë, titullari i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit, Perlat Çullaj, pranoi se ka lidhje mes ekzekutimit të Gazmend Çollakut dhe vrasjes së dy të rinjve Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj në Durrës, pa dhënë detaje të mëtejshme pasi po kryhen hetime intensive për këto ngjarje. Duke u ndalur te veprat kriminale të kryera nga persona të veshur me uniforma policie, Çipa deklaroi se po analizohet nëse ka lidhje vrasja e Çollakut i cili u mor peng nga persona me uniformë dhe grabitjes së një sasie të konsiderueshme parash në rrugën e Rinasit, gjithashtu nga persona të veshur si policë. Çipa foli edhe në lidhje me arrestimin e 38-vjeçarit Gazmend Dervishi, 31-vjeçarit Bruno Shehu dhe 38-vjeçarit Dritan Nikolli, të akuzuar se do të kryenin një vrasje me pagese. Drejtori Çipa tha se është marrë në mbrojtje shënjestra e atentatit. Konkretisht bëhet fjalë për konfliktin midis fisit Kërtalla në Shijak dhe fisit Farruku në Manëz.