23 gra i thanë lamtumirë dyerve të hekurta të burgut “Ali Demi”, paraditen e djeshme. Mes grave që përfituan nga amnistia e fundvitit ishte edhe 27-vjeçarja Sonila Lumi, e akuzuar se ka mbytur në rrethana misterioze foshnjën e saj 18-muajshe.
Pasi kaloi 5 vjet pas hekurave, 27-vjeçarja nga Korça shprehet e penduar, duke theksuar se nuk do të gabonte më. “Jam penduar shumë. Tani do të rri tek babi dhe nuk do bëj më gabime.”- tha ajo raporton Balkanweb.
Ndërkohë familjarët e Sonilës deklaruan se mbytja e foshnjës erdhi si rezultat i kërcënimeve nga bashkëshorti i saj, i cili e dhunonte vazhdimisht.
Një ditë më parë ka lënë qelinë edhe një foshnjë 4 muajshe, e cila kishte ardhur në jetë brenda burgut “Ali Demi”, ku nëna e saj vuante dënimin për vjedhje dyqanesh në Tiranë.
Alketa Shahini, 33 vjeçe, thotë se foshnja u ngjiz brenda burgut, gjatë takimeve speciale me të shoqin. Procedurat ligjore lejojnë që fëmija të mbahet nga nëna brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit.