“Ishte një serbe që jetonte afër stadiumit ‘San Siro’…”. E mbani mend Radovan Karaxhiçin?
Një nga të paktët kriminelë lufte të dënuar ndonjëherë nga gjykatësit e Hagës për gjenocid: i njëjti krim që sot Vladimir Putin duhej të akuzohej për Ukrainën.
Ishte një kohë kur Karaxhiç ishte njeriu më i kërkuar në botë, së bashku me Bin Ladenin. I arratisur 12 vjet. Nuk gjendej askund, ishte i pakapshëm. Mbi të ishte vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Për ta gjetur atë, Pentagoni nxori në terren Forcat e Marinës dhe Delta Force, të udhëhequr nga gjenerali David Petraeus, drejtori i ardhshëm i CIA-s.
Megjithatë, Karaxhiç u tall me të gjithë. Dhe në arratisjen e tij të pafundme, u zbulua se ai përdori edhe Milanon.
Faktet: jemi në vitin 2007, Karaxhiç ka qenë i arratisur që nga viti 1996 dhe do të kapet një vit më vonë, më 18 korrik 2008, në autobusin “73” në periferi të Beogradit.
Në atë moment, ish-kreu i serbëve të Bosnjës, u prangos së bashku me gjeneralin e tij, Ratko Mlladiç, “kasapin” e Srebrenicës.
Dhe në gjurmët e tij, ishte Carla Del Ponte, Prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale të Hagës.
Magjistratja, kishte kohë që e kërkonte, e dinte që fshihej në Beograd, i mbrojtur nga shërbimet serbe.
Ajo ishte e sigurt se ndodhej në rrugën e duhur. Dhe këtë herë, pasi ka zbuluar lidhjen milaneze, duket se nuk ka shpëtim për personin kryesor përgjegjës për luftën e Bosnjës dhe rrethimin e Sarajevës.
“Cherchez la feme”, pra: gjuetia të çon tek “ky serb” që jeton në Milano, jo shumë larg stadiumit të njohur të skuadrave të futbollit të Milanit dhe Interit.
Sot, ish-magjistratja është një zonjë e qetë që jeton në Ascona dhe, megjithatë, zbulon një njohje me faktet e lashta dhe me një kriminel që për të, është një kriminel.
“Partnerja e tij po udhëtonte për në Beograd për të takuar Karaxhiçin, ishim absolutisht të sigurt. Ishte partnerja e tij seksuale. Ajo nisej nga Milano posaçërisht për të”, – zbulon Del Ponte kur e takuam në klubin e golfit, pasionin e saj të ri pas një jete të kaluar duke trazuar gjumin e presidentëve ballkanikë, oligarkëve e mafiozëve.
“Për të kryer operacionin, më duhej një magjistrat mbështetës dhe duke qenë se e njihja mirë Ilda Boccassinin, vendosa ta thërras: ‘Ilda, këtë herë duhet ta kapim Karaxhiçin!’. Ndoqëm gruan kur shkonte në palestër, ishte një agjent i fshehtë që shkoi atje. Ndër të tjera, duke e ndjekur, zbuluam se ajo ishte edhe e dashura e një industrialisti të famshëm italian, i cili nuk kishte lidhje me hetimin tonë, e verifikuam”, – tregon Del Ponte.
“Kur gruaja niset nga Milano për në Beograd, ne informohemi. Në avion hipin edhe dy agjentë italianë. Pasi mbërrijnë, gruaja merret në përgjim nga një shërbim sekret i huaj, – vijon hetuesja italiane. – Ajo shkon në parukeri, pastaj në hotel. Të gjithë jemi të lidhur. Isha goxha optimiste: ia arritëm mendova… ‘Bëhuni gati’, u them agjentëve. Por në fakt, asgjë. Mësojmë që Karaxhiçi e kishte marrë lajmin, sepse historia ishte e vërtetë. Dhe ne gjithashtu duhej të paguanim informatorin”.
“Kjo serbe” nga San Siro (zona mban të njëjtin emër si stadiumi i qytetit), ishte pikërisht e dashura e tij, siç thotë Del Ponte?
Nuk dihet shumë për të kaluarën milaneze të Karaxhiçit. Ish-lideri serb i Bosnjës asnjëherë nuk e ka pohuar apo mohuar, në intervistën e gjatë dhe ekskluzive për librin-investigativ, “Maledetta Sarajevo” (Sarajeva e Mallkuar) nga burgu britanik i sigurisë së lartë në ishullin “Wight”, ku vuan dënimin me burg të përjetshëm.
“Unë kurrë nuk do të them asgjë që mund të dëmtojë këdo që më ndihmoi, edhe nëse askush prej tyre nuk e dinte se kush isha unë”.
Ish-psikiatri, i cili 30 vjet më parë i vuri flakën pluhurit të luftës së parë në Evropë që nga viti 1945, sot zbulon shumë nga mënyra sesi vendosi në një moment të caktuar të fshihej dhe të ndryshonte identitetin e tij.
Ai u kthye në një guru i gjithi ‘peace & love’, Dr.Dragan Dabi, guru i epokës së re, kthjelltësi dhe shërues.
“Në vitin 1996 ende po lëvizja lirshëm në Bosnjën Serbe. Shërbimet tona më bindën se kishte një plan të NATO-s për të më likuiduar fizikisht, nuk donin që unë të mbërrija i gjallë në Hagë dhe këtë e konfirmoi Carla Del Ponte. Kështu, që për të parandaluar të ashtuquajturën Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit që të më vrisnin, unë ia hoqa mundimin, – rrëfen Karaxhiç. – Ndryshova rrënjësisht pamjen time, humba tridhjetë e një kilogramë në tre muaj. Isha gati të zhdukesha. Ishte e tmerrshme të takoje miq dhe të mos mund t’i përqafoje. Askush në familjen time nuk më ka parë ndonjëherë në identitetin tim të ri. A më mbrojti kisha? Padyshim që shkova në meshë. Mund të them vetëm se ata që më njihnin nuk e dinin se ku qëndroja, kush e dinte se ku fshihesha, nuk e dinte kush isha”.
Mjekër e dendur, syze të mëdha të modës së vjetër, flokë të gjatë të bardhë të mbledhur në zverk të qafës në një topuz të vogël, Karaxhiç-Dabi jetoi për vite në numrin 267 në rrugën “Yuri Gagarin”, blloku 70 i Beogradit të Ri.
“Deri në maj të vitit 2008, isha i sigurt se askush nuk e dinte se kush ishte Dabi në të vërtetë, – tregon i burgosuri i përjetshëm serb. – Atëherë e kuptova, pashë agjentë në rrugë, në shkallët e pallatit, madje edhe klientë fals te Luda Kuça… Po lëvizja me biçikletë dhe papritmas u ktheva në një rrugë të vogël, bëra një xhiro të shpejtë nëpër bllok për të vëzhguar se si ishin zhvendosur, pashë të njëjtët njerëz që më parë po ecnin me qenin dhe më pas e morën atë dhe filluan të ecin me nxitim, të gjithë të alarmuar”.
Por a është e vërtetë, siç është thënë gjithmonë, që Karaxhiç ka ardhur në Milano për të ndjekur së bashku me të dashurën e tij ndeshjet e Interit, ku luante idhulli i tij, Sinisha Mihajlloviç?
Radovani nuk e mohon dhe as nuk e konfirmon: “Për mua ishte një nder të dija se isha mbështetur nga një person i jashtëzakonshëm si Sinisha. Jemi njohur që kur ai ishte në skuadrën Crvena Zvezda (Ylli i Kuq). Ai gjithmonë e ka përkrahur betejën tonë dhe nuk ka heshtur kurrë për padrejtësitë që kanë pësuar serbët”.“Corriere della Sera”;“Si”
g.kosovari
Putin është në Rusi i pafshehur dhe president i Federatës Ruse.Ka ndryshim Apo kur si pëlqen Amerikës regjimi në një shtet bën grusht shteti për t’a rrëzuar.Turp.As mua s,mund të më pëlqejë loja vrastare e SHBA,por e respektoj zgjedhjen që kanë bërë amerikanët.