Në 10-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell e ka cilësuar atë një ndër gjigantët e brezit të liderëve të viteve ’90.
Edhe pse për pak kohë, O’Connell tha se ka pasur nderin që ka njohur presidentin Rugova. “Në javën time të dytë në Kosovë, si një diplomat i ri në vitin 2004, unë e kam shoqëruar Shefin e Misionit në një takim me të. Isha nervoz dhe i emocionuar. Presidenti Rugova ishte një nga gjigandët e brezit të liderëve të viteve 1990, që e drejtoi Evropën Qëndrore dhe Lindore nga represioni deri në demokraci”, shkruan ai.
Sipas O’Connell, vizioni i Presidentit Rugova për një Kosovë demokratike dhe besimi se bota nuk do ta braktisë Kosovën, ka ndihmuar për të mbajtur gjallë shpresat edhe në momentet më të errëta.
“Në fund të jetës së tij, udhëheqja dhe vizioni i tij krijoi ‘Ekipin e Unitetit’, që siguroi unitet dhe bashkëveprim gjersa Kosova negocionte rrugën e vështirë drejt pavarësisë. Në funeralin e tij, unë e pashë respektin që bota kishte për të, dhe sidomos për Kosovën. Ai kurrë nuk e pa pavarësinë, por ai e pa lirinë për të cilën luftoi”, përfundon postimi në “Facebook” i ambasadorit britanik në Kosovë.