Teksa tregu i karburanteve është në fokus të vëmendjes për çmimet e pakicës që reflekton, Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar nisjen e një hetimi për konçesionarin që ofron shërbimin e kolaudimit të pompave të naftës.
Ky koncesion ofrohet nga kompania “Noa Control”, e cila ka ekskluzivitetin e ofrimit të shërbimit për verifikimin e instrumenteve matës të karburantit dhe gazit të lëngshëm. Kjo kompani ka aplikuar për dyfishim të çmimeve në treg, por Ministria është ende në fazë shqyrtimi .
Konkurrenca ka nisur hetim për periudhën janar 2019 deri në janar 2022 dhe shkak është bërë një ankesë e disa kompanive në treg, të cilat thonë se është krijuar një pozite dominuese nga ana e konçesionarit.
Më konkretisht ankesa ka të bëjë me faktin se konçesionari po përdor disa të drejta që nuk i takojnë për disa shërbime të cilat ligjërisht mund të ofrohen nga kompani të tjera private, siç janë lëshimi i vërtetimeve teknike, inspektimi i depozitave, apo dhe certifikimi i punonjësve që përdorin pajiset.
Sipas kontratës së miratuar nga qeveria konçesionari ka për detyrë të kolaudojë pompat dy herë në vit, por kjo frekuencë mund të ndryshojë në rast se 5% e instrumenteve matës mund të rezultojnë me probleme.
Ndonëse kjo pikë e kontratës është rekomanduar nga Autoriteti i Konkurrencës kohë më parë të rishikohej, ajo nuk është reflektuar duke shtuar pikëpyetjet për abuzime në terren. Kolaudimi i një pompe ka një kosto prej 7 mijë lekë, dhe kjo kosto reflektohet në çmimin final që paguajnë qytetarët.
Kompanitë që janë ankuar argumentojnë se konçesionarit i janë lënë të gjitha hapësirat e mundshme për të qenë dominues në treg.
/a.r