Edhe pse shumë individë e kanë kaluar covid-19 shumë prej tyre vuajnë ende pasojat e virusit. Dhimbje koke, ankth, probleme me frymëmarrjen, kujtesën, pamundësi për të ngjitur shkallët, lodhje janë disa nga simptomat që ata ankohen në të përditshmen e tyre.
Teksa flasin për problemet postcovid qytetarët elbasanas pohojnë se kushtet ekonomike nuk ua mundësojnë trajtimin me medikamente. Shumë prej tyre thonë se ende nuk kanë shlyer paratë e kurimit kur u infektuan.
“Unë si sot një vit më ka kap covid dhe e kam kaluar shumë rëndë, kam këputje, me zor kujtoj, asnjë kompesim për ilacet, kam harxhuar një million e gjysëm. Është e vërtetë që të lë pasoja. U kurova ca kohë, më është shpikur diabeti që nuk e kam pasur kurrë. Shyqyr shpëtova gjallë”– u shpreh një qytetar.
“Kam dëgjuar që ka edhe probleme, unë nuk e kam kaluar, jam e vaksinuar, jam me maskë”– u shpreh një tjetër.
Problemet post covid në shëndet sidomos ato neurologjike konfirmohen edhe nga mjekët specialist. Mjeku neurolog Bujar Cakani thotë se 80 perqind e pacientëve që kanë kaluar covid shfaqin simptoma.
Shërimi nga koronavirusi për disa persona mund të kërkojë më shumë kohë se sa periudha në të cilën ato negativizohen. Ndaj mjeku Cakani rekomandon trajtim mjekësor me barnat e duhura.
“Në këto tre vjet kryefjala ka qenë Covidi , ka filluar me humbjen e shijes dhe të nuhatjes, pastaj dhimbje e kokës. Sot pas tre vjetëve ne po hasim shenja të tjera, janë në tre grupe, shenjat e fillimit, shenjat post covid, mungesa e përqëndrimit, ankthi, dhe ato të mëvonshme do kemi probleme me kujtesën përqëndrimin, por besoj që në të ardhmen ky virus do ketë problem, qytetarë që dridhen, me problem e të kujtesës. Patjetër që kurohet post-covidi dhe do ketë shtim të rasteve”– u shpreh ai.
Edhe nga spitali psikiatrik i Elbasanit burimet për Fax Neës bëjnë me dije se është shtuar numri i qytetarëve , përfshirë të rinjtë që paraqiten për ndihmë mjekësore,për shkak të problemeve neurologjike pasi kanë kaluar covid. Shumë prej tyre edhe kërkojnë të shtrohen, por kapacitetet janë të pamjaftueshme.
/b.h