Ndërsa fokusi i luftës së Rusisë në Ukrainë po zhvendoset në lindje, forcat ruse po mbushin terrenin me mina tokësore.
Gjashtë gra ukrainase kanë filluar trajnimin në Kosovë për të çaktivizuar mjetet shpërthyese në vendin e tyre të shkatërruar nga lufta. Ato janë grupi i parë i çminuesve ukrainase që po stërviten nga qendra MAT Kosova, në qytetin e Pejës.
Instruktorët po u mësojnë gjashtë grave ukrainase se si të asgjësojnë municionet e pashpërthyera, të tilla si bombat thërrmuese, fushat e minuara dhe mbetje të tjera shpërthyese. 20 vjeçarja Anastasiia Minchukova thotë se iu bashkua trajnimit për të ndihmuar vendin e saj.
“Në Ukrainë ka një kërkesë të madhe për njerëz që dinë të bëjnë çminimin, sepse lufta do të përfundojë së shpejti. Ne besojmë se ka shumë punë për të bërë dhe them se do të jem e dobishme të ndihmojë”.
Anastasiia thotë se i mungon jeta normale që kishte jo shumë kohë më parë.
“Çfarë më mungon? Paqja. Ëndërroj për paqen, për të fjetur në shtratin tim pa u shqetësuar se do të shkoj në strehimore për bomba gjatë gjithë kohës. Më mungojnë njerëzit që humba. Po, jeta normale tek e cila nuk do të mund të kthehemi më kurrë”.
Në Kosovë pati mjete të shumta të pashpërthyera të mbetura pas luftës në vitin 1999, derisa OKB-ja e shpalli të sigurt nga minat në vitin 2001. Suksesi i shpejtë në pastrimin e minave ka ndihmuar në krijimin e reputacionit të Kosovës si një vend i mirë për trajnime. Instruktori Artur Tigani i ka ende të freskëta plagët e luftës.
“Lufta është ende e freskët në kujtimet tona, edhe pse ka kaluar gati 23 vjet. Janë ende të freskëta në kujtimet tona, vështirësitë që ndeshëm kur filluam pastrimin e minave në Kosovë. Kështu që qendra e trajnimit është ndërtuar mbi përvojën tonë të drejtpërdrejtë”.
38 vjeçarja Yuliia Katelik është nënë e tre fëmijëve nga Kramatorsku:
“Si nënë e kuptoj që ka një problem me minat që është mjaft serioz sidomos për fëmijët. Ne përballemi me një përqendrim të lartë të përhapjes së llojeve të ndryshme të mjeteve shpërthyese dhe duhet të punojmë për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të të gjithë njerëzve”.
Ekspertët thonë se trupat ruse kanë shpërndarë mina të shumta pas tërheqjes së tyre nga veriu i Ukrainës tani që po përqendrohen në lindje, duke përfshirë variante me sensorë të ndjeshëm që mund të shpërthejnë nëse dikush u afrohet, edhe pa i prekur. Fakti që shumë prej tyre janë vendosur pa dallim rreth zonave të populluara është dëshmi, thonë vëzhguesit, e qëllimit të Moskës për të shkaktuar shkatërrim dhe për të mbjellë frikë. /VOA
/b.h