Rudina Hajdari do të marrë pjesë në Kuvendin e 30 prillit, të thirrur nga Sali berisha, në cilësinë e ish-deputetet të PD-së, anëtares së partisë, por edhe si e bija e Azem Hajdarit, Presidentit të Nderit në statutin demokrat. Kjo, tha Hajdari në emisionin ‘Repolitix’, nuk do të thotë se është një tregues i mbështetjes së Sali Berishës. Përballë gazetarit Denis Minga, Hajdari tha se do të merrte pjesë në çdo Kongres që ka në qendër të saj demokratët, edhe nëse do të thirrej nga Enkelejd Alibeaj.
“Po do jem pjesë e Kongresit të 30 prillit, do flasë në podium, do flasë me anëtarësinë, si ish deputete e PD, si anëtare e PD, si e bija e Azem Hajdarit, ku është shpallur President Nderi në statut. Kam ambicie për t’u kthyer aty ky kam qenë, në garë për strukturat e partisë, të respektohet vota dhe mbështetja që ke në anëtarësi dhe 1200 delegatët. Kongresi është për zgjedhjen e anëtarësisë së Këshillit Kombëtar. Në çdo Kongres që do të flitet për demokratët, do të jem, edhe nëse e bën Alibeaj, për të afruar demokratët apo pjesën më të madhe të demokratëve”, tha Hajdari.
Ish-deputetja thotë se anëtarësia nuk është në mbështetje të Sali berishës, por ka qenë zhgënjimi për Lulzim Bashën që i ka rreshtuar pas tij demorkatët. Për këtë thotë, se demokratët janë të vëtëdijshme që Berisha është një “ofertë e vjetër”
“Fakti që anëtarësia e ka mbështetur Berishën këto kohët e fundit, nuk vjen se ai ka qenë ish president, ish kryeministër, por se anëtarësia ishte i zhgënjyer nga Basha. Dhe ky akumulim brenda tyre, u kthye si mbështetje ndaj Berishës, mendoj që dhe demokrati më i flaktë është vigjilentë e di që Berisha ka qenë një ofertë e vjetër dhe e di që i duhet një ofertë e re”, u shpreh ish-deputetja.
Hajdari thotë se ajo nuk ka ardhur në PD për të bërë tifo për asnjë nga grupet, as të Berishës, e as të Alibeajt, por për t’u afruar më demokratët dhe e ka bërë të qartë se tani më asnjë kryetar i ri që do vijë në drejtimin e PD-së, nuk do të ketë asnjë shans për ta përjashtuar.
“Jam rikthyer në PD se e kam ndjerë që jam pjesë e PD që prej fillimit të saj dhe për shkak të përjashtimit, më penalizoi në karrierë dhe kontributin në PD, por kur Basha u largua m’u hap një derë për të dhënë kontribut. Partitë të zbusin rolin e kryetarit, që të mos kemi një kryetar që emëron, pro të mbledhë më të mirë për të ringjallur shpresën. Nuk kam ardhur që të bëj tifozllëk as për zotin Basha as për grupin e Berishës, por për t’u afruar me demokratë. Nuk do lejoj asnjë kryetar të ardhshëm që të më përjashtoj mua nga PD, sepse ata që aderojnë në PD aderojnë aty për shkak të idealeve”, tha Hajdari.
Sa i përket ambicieve për të marrë drejtimin e PD-së, Hajdari rrëfen se nuk është në ambiciet e saj të afërta.
“Nuk e kam një ambicie të tillë sepse mendoj që është ende herët, mendoj që PD nuk i duhet individi, i duhet një grupim i madh dhe një grupim i fortë që do jetë në gjendje që të riformatojë dhe t’i rikthejë shpresën demokratëve”, dekalroi ajo.
Hajdari ka komentuar edhe peticionin e bërë kundër ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, që e quajti diçka krejtësisht të parëndësishme.
“Peticioni është diçka e parëndësishme, si një gur i hedhur në lum, që e merr rrjedha dhe nuk ka asnjë vlerë”, tha ajo.
/b.h