Nga Ben Andoni
Shumëkush i bën pyetjen e thjeshtë vetes se ku e gjen guximin e vazhdueshëm kryeministri Rama të përballë Brukselin dhe madje ta qesëndisë atë! Rasti i Berishës është edhe pak më shumë specifik. Me barrën e “non grata” mbi shpinë, ai përveç stigmës ndaj përfaqësueses më të lartë të shtetit amerikan në Tiranë, ambasadores Kim, e ka konfuzuar publikun me çështjen e tij. Në fakt, ata që i besojnë çdo fjalë. E para se do të përballej në një Gjykatë në Paris me Sekretarin e Shtetit e SHBA-së, çështje e cila duket haptazi hipotetike për shkak juridiksioni dhe e dyta se do bënte kthesë kur…vetë Blinken t’i kërkonte falje (!!!). Nga ana tjetër, kryeministri Rama nuk lë moment pa i kujtuar Evropës, problemin e integrimit të vendit, i cili duket se po kalon në kalenda thjesht nga vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut; ashtu si pak muaj më parë e ka fshikulluar ashpër për politikën e vaksinimit dhe me të drejtë përballjen e parë me pandeminë e Covid-19. Për të mos kujtuar krizën e refugjatëve dhe gatishmërinë e saj. Paçka kthesës së arsyeshme të BE-së, ndihmës së ofruar prej saj, publiku me pandeminë pa fytyrën tjetër të Evropës atë të cinizmit por edhe të paqartësisë që rrjedh nga futja në të e shumë kulturave dhe mbi të gjitha e interesave, që kulmojnë mbi idealin e pretenduar të përbashkët.
Po pse ndodh tamam kështu?! Një arsye që të shkon ndërmend dhe shumë politologë e shtjellojnë më së miri lidhet me faktin e ekzistencës së shumë kulturave dhe konceptet e ndryshme sa i përket institucioneve. Tjetra me atë që ish presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, e artikuloi dikur në një aktivitet titulluar “Europe – Back on Track”, me fjalët “jo shumë kohë më parë Bashkimi ynë ishte në rrezik të vazhdonte të ecte në gjumë nga një krizë në tjetrën pa u zgjuar”. Ai argumentoi se Bashkimi Evropian (BE) ishte rrënuar nga një “polikrizë” (Komisioni Evropian 2018), që në fakt vazhdon ende. Kriza është thelluar dhe gati 15 vite më vonë u përshkallëzua me luftën në Ukrainë por më shumë se kaq me vlerësimin për BE-në nga shumë prej vendeve anëtarë të saj. Kurse në Shqipëri, kësaj i shtohet edhe ambiguiteti për SHBA-në, që shpesh e zëvendëson me të drejtë perceptimin për Evropën… Jo rrallë, politikanët tanë i kanë trajtuar përfaqësuesit e shtetit më të madh të botës të akredituar në Tiranë, si të ishin pjesë e politikës së tyre, madje duke u vetë-personalizuar si më të afërtit me ta, kur u duhej mbështetja dhe u përshtateshin perceptimet. Veçse, kur mendimet e diplomatëve kanë artikuluar gjërat e DASH, atëherë anatema ka qenë e madhe për ta. Politikanët shqiptarë kanë hequr maskat e përdëllimit dhe kanë vënë atë të kinse luftëtarëve. Rastet e ambasadorëve Rajërson, Mariza Lino, Limpreht, Donald Lu dhe së fundmi Kim janë përballur deri paradoksalisht me kritika dhe jo pak herë tallje…nga zyrtarët e një shteti si yni, që jo rrallë trajtohet nga media e huaj si tejet vasal. Po pse një vend evropian si Shqipëria, ende në fazat e para të demokracisë, të paktën si e tregon historia përmes përfaqësuesve të saj, i atribuon vetes fuqinë të përballet me të pamundshmen. Një ide e politologut të njohur Ivan Krastev na ndihmon që të shkojmë pak më thellë:
“BE bazohet mbi idenë franceze të kombit, pra në përkatësinë si besnikëri ndaj institucioneve, dhe në përfytyrimin gjerman për shtetin – me vende të fuqishme dhe një qendër relativisht të dobët federale. Shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore nga ana tjetër kanë idenë gjermane për kombin dhe përfytyrimin francez për shtetin. Këto vende kombinojnë admirimin për shtetin e gjithëfuqishëm centralist të francezëve me përfytyrimin e mbrojtur nga gjermanët, se përkatësia shtetërore i ka bazat në një origjinë dhe kulturë të përbashkët. Për shumë evropianolindorë, parullat si “Polonia – polakëve” ose “Gjermania- gjermanëve” janë me kuptim, aman jo edhe ideja e një Evrope të evropianëve. Sepse Evropa nuk ka peshë të rëndë politike dhe nuk ka identitet etnik, ne nuk kemi një gjuhë të përbashkët dhe historia jonë e përbashkët më shumë na ndan se sa na bashkon”.
Interesante është se nëse të paktën vendet e dobëta ekonomikisht, me përvojë ende të paqartë demokratike duhet që të shkonin në rrënjë të vlerave dhe t’i aplikonin për bazën e tyre, ato, i anatemojnë si pakkush. Vendet tona të Ballkanit Perëndimor janë të mbushur me drejtues që këto vlera i kanë përkthyer si benefite për mirëqenien e tyre dhe rrugë për të forcuar deri në autokraci pushtetin e pamatë. Ajo që Berisha po i bën rrugëtimit në këtë stad të Partisë Demokratike është e paimagjinueshme dhe është fakt se sot ai e ka përcjellë atë në një parti krejt të përçarë, ku personalizimi i pushtetit të tij ka bërë që të humbasë çdo lloj zëri i arsyeshëm. Nga ana tjetër, kryeministri Rama me fuqinë e tij të jashtëzakonshme të Ekzekutivit, me pushtetin e tij të padiskutueshëm brenda PS-së, jo thjesht mund të diktojë dhe deri edhe të tallet me njerëzit e vet, por ka lënë shumë pak vend për mendimin ndryshe. Ku shqetësimi më i madh për publikun mbetet e ardhmja e PS-së në mungesë të tij. Rama nuk ka lënë vend për këtë rokadë të së ardhmes, kurdo që të ndodhë kurse diferenca e tij me personalitetet e tjera të PS-së është e pamatshme… Kjo shihet me servilizmin deri të lodhshëm të bashkëpunëtorëve të tij, me butaforinë e krijuar për të dhe mbi të gjitha lejimin që i bëhet atij të shprehet për çdo gjë palimit duke kaluar vendin në një autokraci gati normale, që demokracitë e tjera të Evropës Lindore e kanë tashmë me tepri.
Po Brukseli pse është i pavëmendshëm, teksa SHBA ka shkundur pa mëshirë të gjithë politikën e personalizuar të Ballkanit me listën e personave “non-grata” dhe me penalitetet e mëdha të Departamentit të Thesarit. Në fakt, në ditët e fundit një reagim të tillë, të ngjashëm me Uashingtonin zyrtar, e bëri edhe Brukseli por në stilin e vet: me një retorikë të gjatë dhe pa penalitete direkt, që do të thotë hiç për veshët e mësuar të liderave autokratikë të Ballkanit dhe zyrtarët e saj të korruptuar. Duket se gjunjët e Brukselit janë tronditur shumë jo thjesht prej luftës së Ukrainës, por edhe për të zgjidhur problemet financiare të Eurozonës, fluksin e papritur të refugjatëve dhe Brexit. “Për më tepër, një rebelim ndodhi brenda radhëve: disa shtete anëtare, me Hungarinë dhe Poloninë që rrinin jashtë si gishtat e mëdhenj, thuhej se po kalëronin në mënyrë të ashpër mbi vlerat themelore që përcaktuan projektin evropian. Kjo rritje e autoritarizmit inicioi një ‘krizë vlerash’”, shkruan studiuesi Kochenov në artikullin e vet “Europe’s Crisis of Values”.
E cili është rreziku më i gjerë? Është pikërisht ai, që të gjithë tashmë e ndjejnë nga kontrata e paqartë morale e publikut me parlamentin që zgjedhim dhe nga mënyra sesi përballemi me liderat që sjell ky institucion: “… argumentoj se vlerat e BE-së karakterizohen më së shumti nga paqartësia. Duke u mbështetur në teorinë e kontraktimit, unë i shoh ato si kontrata të paplota: megjithëse të gjitha palët ranë dakord të ruajnë vlerat, është e paqartë se si ky angazhim kërkon që shtetet anëtare të sillen realisht në praktikë. Për më tepër, edhe pse praktikisht të gjitha marrëveshjet në biznes dhe marrëdhëniet ndërkombëtare ngjajnë me kontrata të paplota, BE-ja nuk ka makinerinë e duhur institucionale, e cila mund të specifikojë dhe zbatojë detyrimet kontraktuale. Vlerat themelore të Bashkimit, me fjalë të tjera, përbëjnë një përpjekje të gabuar për kontraktim jo të plotë. Si rezultat, këto vlera janë njëkohësisht të paqarta dhe të pazbatueshme”, shkruan te “Ambiguity and interpretive politics in the crisis of European values: evidence from Hungary”, studiuesi Martin Mojs.
Janë tre dekada që na kanë bindur se moszbatimi i këtyre përballjeve demokratike tek vendet e Evropës Lindore dhe në Ballkan janë përcjellë me amulli dhe interpretime krejt anti-demokratike. Rasti “Berisha” është nga më të njohurit, ashtu si shumë nga si-vëllezërit e tij në Ballkan, ku liderët nuk respektojnë kontratën morale që kanë me zgjedhësit e tyre, por edhe me parimet e BE-së, kurse në rastin “Berisha” mbi të gjitha me penalitetet që vetë ligji shqiptar i de-kriminalizimit ia përball në çdo moment politikës dhe kuptohet përsëritjet e dënimit që po i bën DASH-i.
Por Brukseli hesht ose më mirë me anë të emisarëve me gjysmë zëri jep mesazhe ambigue që politikanët shqiptarë me pushtet pakufi e në një vend me demokraci hibride si tek ne, i transformojnë dhe madje i përdorin të pa-penalizuar. Dhe, kur Brukseli hesht, Berisha dhe të penalizuarit e tjerë trimërohen me të dhe i japin vetes të drejtë të kritikojnë këdo, ashtu si Rama nga ana tjetër me pushtetin që ka merr guximin ta kritikojë paq kurdo që i jepet mundësia edhe vetë Brukselin. Ky i fundit nuk e pranon këtë amulli, ashtu si nuk po kupton që me politikën e vet, pak e nga pak po e rrënon dhe vetë projektin e Evropës së Bashkuar, tashmë vendosur krejtësisht në rrezik. E të mendosh veç të tjerave, kur tashmë edhe nga Shqipëria e vogël, kanë guximin dhe shohin “lartësinë” nga ku mund ta godasin Brukselin: Berisha me ashpërsi dhe Rama me qesëndi, atëherë bindesh …se ku po lundrojmë në këtë kohë. (Homo Albanicus)