Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, ripërsërit me forcë rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi vonesat në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore.
Në datën 19 prill 2022, Meta ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Darjel Sina si anëtari më i ri në Gjykatën së Lartë, i cili është përzgjedhur për t`u emëruar përmes procedurës së përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile.
“Plotësimi i kësaj vakance në Gjykatën e Lartë ka zgjatur ekzaktësisht 2 (dy) vjet e 7 (shtatë) muaj, (shtator 2019-prill 2022) ç’ka tregon se kohëzgjatja e procedurave të ndjekura nga KLGJ është e papranueshme, përtej çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm. Edhe pse Presidenti i Republikës, zyrtarisht dhe përmes mesazheve publike ka kërkuar dhe ka bërë disa herë thirrje për ndjekjen me prioritet të procedurave të plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë, sërisht faktet tregojnë se KLGJ dhe/apo institucionet e përfshira apo të lidhura me këtë proces kanë vepruar jashtë këtij prioriteti. Megjithatë, në mbështetje të Kushtetutës dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, të nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Latë plotësisht funksionale, si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së të kandidaturës së propozuar, Presidenti i Republikës ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimit të KLGJ-së, për emërimin e zotit Darjel Sina, si anëtarin më të ri të Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
/b.h