Ende pa e pasur kontrollin e plotë të shtetit, por në hapat e duhur drejt marrjes së kontrollit të çdo freni të strukturës shtetërore në Shqipëri, Enver Hoxha dhe enturazhi i tij ishin në radarin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), e cila kishte mbledhur informacione të mjaftueshme prej të gjithëve, për të parë skenarët e mundshëm të asaj çfarë mund të ngjante në Shqipëri.
Në një raport sekret të publikuar në vitin 1947, një pjesë të së cilit Albanian Post e publikoi më 20 prill, mbi rolin që Shqipëria mund të luante në rajon, flitet me emra konkretë edhe për krerët politikë të asaj kohe në vendin e vogël ballkanas.
Si përshkruheshin ata, në raportin e CIA-s?
Enver Hoxha
I gjatë, i pashëm, atletik, me aftësi të mira komunikuese, i vendosur dhe agresiv, ambicioz, i pasinqertë dhe me mungesë të theksuar të idealeve bazë. Një komunist për pragmatizëm, më shumë se sa për ideale.
Të gjitha këto karakteristika i atribuohen një emri të vetëm në raportin e CIA-s të vitit 1947, Enver Hoxhës.
Sipas përshkrimit, si kryeministër dhe komandant i Forcave të Armatosura, ministër i Luftës dhe Punëve të Jashtme, Hoxha ishte diktatori i pakundërshtueshëm i Shqipërisë.
“Përtej faktit se sharmi i tij personal do ta bënte një figurë ideale për diktatin komunist, ai po ashtu zotëron cilësitë e lidershipit, të cilat e bëjnë praktikisht të pazëvendësueshëm nga të tjerët”, thuhet aty.
Në të, përshkruhet se si Hoxhës i mungojnë trajnimet e liderëve rajonalë si Tito apo Dimitrov. Mirëpo, gjithashtu, fakti se ai është mbështetur tek ta dhe këshillat e tyre, për të vendosur regjimin e tij.
Teksa, urdhrat, i merrte fillimisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste jugosllave.
Kontrolli mbi njerëzit e tij dhe shqiptarët ishte i pamohueshëm për amerikanët. Megjithatë, në rastin eventual të formimit të një Federate Ballkanike, ai nuk do të kishte shanse përballë Titos apo Dimitrovit.
Koçi Xoxe
Hakmarrës, sadist dhe i paskrupullt.
Përshkrimi i Koçi Xoxes ishte edhe më i errëti në faqet e raportit të CIA-s.
Në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, Xoxe shihej si i vetmi, i cili mund të pasonte Hoxhën në krye të shtetit.
Madje, për të shkruhej se ishte i vetmi pasardhës logjik i diktatorit.
“Nuk është aq piktoresk sa Enver Hoxha, por mbajtja e fuqishme e shtetit me forcë e bën të ketë kontroll mbi agjenci të caktuara”, shkruhet aty.
Më së shumti, Xoxe përshkruhet si person, të cilit i pëlqen popullariteti dhe njihej që atëherë si organizator i një sërë ngjarjesh madhore në Shqipëri.
Mehmet Shehu
Gjeneral Major Mehmet Shehu është edhe personaliteti, për të cilin raporti flet me elozhet më të larta, duke parë edhe angazhimin e tij me brigadën ndërkombëtare në Spanjë.
I guximshëm, vigoroz dhe agresiv. Flet anglisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht.
Shehu po ashtu si Xoxe, janë përmendur nga Moska si përzgjedhje për të zëvendësuar Hoxhën në rast nevoje.
Kështu thotë raporti i CIA-s.
Vetëm 36-vjeçar, ai kishte luftuar krah kauzës komuniste në Spanjë. Më së shumti, ishte rekordi që ai kishte në luftë, që e bënte shumë popullor te njerëzit.
Nako Spiro
Si një prej njerëzve më të fuqishëm të regjimit, përshkruhej Nako Spiro nga inteligjenca amerikane në vitin 1947.
Një pro-rus i fuqishëm, Spiro besonte se kapitalizmi amerikan dhe imperializmi britanik, ishin armiq vrastarë të lëvizjeve popullore.
Ndër karakteristikat e tij, ai përshkruhej si një person i organizuar, inteligjent, shumë punëtor, por i cili mund të ishte tepër i pakëndshëm.
Koço Tashko
Personazhi i fundit, i cili përshkruhet në raportin e CIA-s, është Koço Tashko, i cili nuk kishte pozita aq të larta sa të tjerët, por vlerësohej me po aq influencë.
Tashko kishte kaluar disa vite në SHBA, ku ishte diplomuar në Universitetin e Harvardit. Ai, po ashtu, kishte kaluar gjashtë vjet në Moskë dhe përshkruhej si pro-sovjetik.
Roli kryesor i Tashkos, si një person inteligjent, lidhej më së shumti me interpretimin fillestar të direktivave prej Kremlinit dhe Jugosllavisë ndaj Hoxhës.(Albaniapost)
/b.h