Një diplomat i lartë rus pohoi se një armëpushim me Ukrainën nuk është një opsion i mirë për momentin, sepse do t’u japë forcave ukrainase mundësinë të “rigrupohen dhe të bëjnë më shumë provokime”.
Më herët sot, Rusia njoftoi se do të mbante një armëpushim rreth fabrikës së çelikut në qytetin e rrethuar të Mariupolit nga ora 14:00 me orën lokale (11:00 GMT), për të lejuar largimin e civilëve, raporton BBC.
Por zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk tha se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje dhe bëri thirrje për garanci me shkrim sigurie.
Zëvendës përfaqësuesi i parë i përhershëm i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, tha se Ukraina kishte pretenduar se kishte disa civilë në fabrikën e çelikut Azovstal, ku janë strehuar luftëtarët e fundit ukrainas në qytet, por forcat ukrainase “nuk i lanë të shkojnë”. Ai vazhdoi duke thënë se Rusia nuk kishte sulmuar gjatë fundjavës zonat e banuara në Odesa, qyteti port i Ukrainës në Detin e Zi. Të shtunën, Ukraina tha se dy raketa goditën një objekt ushtarak dhe dy ndërtesa banimi në qytet. Por Polyanskiy tha se ndërtesat e banimit u goditën nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.
Ai vazhdoi të kundërshtonte komentet e bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili tha se Rusia kishte dështuar në arritjen e qëllimeve të saj në pushtim. “Unë nuk mendoj se kemi dështuar, sinqerisht. Rusia po kryen operacionin e saj ushtarak dhe ka qëllimet e veta dhe strategjitë e veta”, tha ai./m.j