Ministria serbe e Arsimit, pas kërkesës së Komisionit për Arsim fillor dhe të mesëm të Këshillit Nacional Shqiptar, ka lejuar për përdorim katër libra për shkollat e mesme të Gjuhës dhe letërsisë shqipe, të botuara në Republikën e Shqipërisë. Librat janë të shkruara nga autorë të Shqipërisë dhe ata kosovarë dhe do të shërbejnë për vitin e parë, të dytë, të tretë dhe vitin e katër, për gjimnazet e reformuara, transmeton RTK. Këto janë librat e vetëm, të cilat, pas më se dy dekadave, do të mund të shënohen zyrtarisht në ditarët shkollorë.
Zejni Fejzullahu, përfaqësues për arsim i Këshillit Nacional Shqiptar, vendimin e Ministrisë serbe të Arsimit e sheh shpresëdhënës edhe për lejimin e teksteve tashmë të bllokuara e që janë të dhuruara nga Ministria Arsimit të Kosovës. Për më se dy dekada nxënësit shqiptar në Luginë, në mungesë të librave mësimore, mësojnë me metoda klasike të diktimit, si pasojë e moslejimit të autoriteteve serbe, që tekstet mësimore të importohen nga Kosova e Shqipëria. Katër librat e lejuar pritet që të hyjnë në përdorim gjatë këtij viti shkollor.