Në kuadër të operacionit policor të koduar “Repsi” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, është vënë në pranga një 50-vjeçar me iniciale A.Ç. dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, 53-vjeçari me iniciale D.P pasi po transportonin lëndë narkotike me automjet.
Në Rrugën e Kombit, në vendin e quajtur Reps, Mirditë, Policia ka lokalizuar lëvizjen e automjetit duke e ndaluar për kontroll, dhe në bagazh të automjetit, janë gjetur 2 qese të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike e cila pas peshimit rezultoi 9 kilogramë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, është bërë arrestimi në flagrancë i 50-vjeçarit banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim drejtuesi i mjetit, banues në Pukë, i cili gjatë ndërhyrjes së policisë, ka mundur të largohet. Vijojnë kontrollet dhe krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 9 kg kanabis sativa, 1 automjet, 2 aparate celulare.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim”.
/a.r