Francezët kanë nisur të votojnë të dielën, 24 prill, në zgjedhjet që do të vendosin nëse presidenti aktual pro-Bashkimit Evropian, Emmanual Macron, do të vazhdojë punën edhe për një mandat apo do të mundet nga Marine Le Pen, euroskeptike.
Sondazhet e ditëve të fundit i kanë dhënë Macronit një rritje të lehtë dhe analistët kanë thënë se Le Pen – pavarësisht përpjekjeve të saj për të zbutur tonet dhe imazhin – ka mbetur jo shumë popullore për një pjesë të konsiderueshme të votuesve.
Mirëpo një fitore e befasishme e Le Penit nuk mund të përjashtohet, duke marrë parasysh numrin e madh të votuesve të pavendosur.
Ndonëse sondazhet nuk i japin shumicën asnjërit kandidat, zgjedhjet do të varen nga votuesit që janë duke peshuar në ankth situatën e një presidence të ekstremit të djathtë ndaj zemërimit që ekziston për presidencën aktuale të Macronit.
Nëse Le Pen fiton, kjo gjë do të shkaktonte të njëjtën ndjesi shoku sikurse ai kur britanikët patën vendosur për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.
Kutitë e votimit janë hapur në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.
Sondazhet e para pritet të dalin menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve.
“Secili prej tyre ka mangësi të mëdha”, ka thënë Bernard Sananes në njërin prej sondazheve, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
“Emmanuel Macron konsiderohet arrogant nga më shumë se një në dy votues dhe Marine Le Pen vazhdon të jetë e frikshme për gjysmën prej tyre”.
Macron, 44-vjeçar, fitues i një gare me rivalen e njëjtë pesë vjet më parë, ka paralajmëruar për “luftë civile” nëse fiton Le Pen.
Në politikat e Le Pen – 53-vjeçare – përfshihet ndalesa e vendosjes së mbulesës për gratë myslimane në publik.
Ajo ka fokusuar fushatën e saj në rritjen e fundit të kostove të jetesës në Francë, gjë që sipas francezëve është përkeqësuar me rritjen e fundit të çmimeve të energjisë në gjithë botën.
Ajo po ashtu ka kritikuar Macronin duke thënë se ai tregon përbuzje elitare për njerëzit e zakonshëm.
“Pyetja e së dielës është e thjeshtë: Macroni apo Franca”, ka thënë ajo në një takim me mbështetësit e saj në qytetin francez Arras të enjten.
Këto mesazhe të saj kanë bërë jehonë te shumë njerëz.
“Ajo është e afërt me njerëzit. Ajo mund të transmetojë fuqinë e saj te njerëzit, t’i bëjë të qeshin, t’u japë njerëzve oksigjen”, ka thënë një roje e burgjeve, Erika Herbin, 43-vjeçare, pas takimit.
Të tjerë, sikurse Ghislaine Madalie, floktare në qendër të Francës, nuk pajtohen aspak.
Madalie ka thënë se do të votojë për Macronin ndonëse ka përkrahur dikë tjetër në rundin e parë të zgjedhjeve.
Mirëpo ajo ka thënë se shumë klientë të saj do të votojnë për kandidaten e të djathtës ekstreme, sepse nuk e pëlqejnë Macronin.
“Kjo gjë është e tmerrshme sepse ajo është raciste”, ka thënë Madalie, 36-vjeçare, familja e së cilës vjen nga Maroku, teksa ka komentuar Le Penin.
“Jam në ankth, për mua dhe për fëmijët e mi”.
Le Pen, e cila po ashtu është kritikuar nga Macroni për admirimin që ka ndaj presidentit rus Vladimir Putin, ka hedhur poshtë akuzat për racizëm.
Ajo ka thënë se planifikon t’iu japë prioritet qytetarëve francezë kur është fjala për banim dhe vende pune dhe të heqë disa përftime për të huajt.
Jean-Daniel Levy, nga grupi i sondazhit Harris Interactive ka thënë se respodentët kanë treguar se Le Pen ka pak mundësi të fitojë për shkak se kjo gjë do të kërkonte ndryshime të mëdha në synimet e votuesve.
Nëse Macron fiton, ai do të përballet me mandat të vështirë, pa periudhë të shijimit të pozitës sikurse në mandatin e parë.
Ai mund të përballet me protesta për shkak të planit të tij për reforma pro-biznesore, duke përfshirë rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 65 vjet.
Nëse Le Pen zë karrigen e presidentit, ajo do të mëtojë të bëjë ndryshime radikale në politikat e brendshme dhe të jashtme të shtetit dhe protestat në rrugë mund të nisnin menjëherë.
Ndikimi do të vërehej në gjithë Evropën dhe më tej.
Kushdo që fiton, sfidë të madhe do të ketë fitoren në zgjedhjet parlamentare në muajin qershor, për të siguruar shumicën që i duhet për zbatim të programit./REL
/b.h