Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë ditën e sotme festën e Pashkëve.
Mesnatën e të shtunës shumë besimtarë u mblodhën në Katedralen “Ngjallja E Krishtit” në kryeqytet duke marrë pjesë në meshën e drejtuar nga kryepeshkopi Anastas Janullatos.
Pas dy vitesh pandemi, kjo festë i gjeti besimtarët pa kufizime apo orare për të mbajtur festimet.
Pashkët janë kremtuar edhe në qytetet e tjera të vendit. Në Elbasan qindra besimtarë ortodoksë u mblodhën në kishën e Shën Thanasit në meshën e drejtuar nga Metropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Imzot Andoni.
Ndërkohë në Vlorë mesha u mbajt në Kishën e Shën Theodhorit, e drejtuar nga At Konstandin Prifti.
Pashka është një festë që simbolizon ngjalljen e Jezu Krishtit. Ajo konsiderohet si dita më e rëndësishme në kalendarin fetar ortodoks dhe mesazhi i kësaj dite tregon fitoren e jetës dhe dritës mbi errësirën dhe urrejtjen.
Simbol i kësaj feste është veza e kuqe.
/b.h